22-11-2024

Serbia nuk i përgjigjet Kosovës për Faton Hajrizin, MPJD flet me familjen dhe ankohet te vendet e QUINT-it

Hajrizi më 6 korrik u arratis nga burgu i Smrekonicës në Vushtrri dhe vendndodhja e tij mbeti e panjohur deri kur emri i tij u përmend të enjten, si autor i vrasjes së një polici në qytetin perëndimor të Lloznicës në Serbi.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se ende s’ka pranuar përgjigje nga autoritetet serbe, ndërsa njoftoi se për këtë është ankuar te ambasadorët e vendeve të QUINT-it përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi.

“Ashtu siç ju kemi njoftuar dhe me parë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet serbe konfirmimin e identitetit të personit të vrarë në Serbi. Nëpërmjet të njëjtës kërkesë zyrtare është kërkuar edhe lehtësimi i procedurave për kthimin e trupit të pajetë në Republikën e Kosovës dhe dorëzimi i tij tek familjarët. Megjithëkëtë, deri më tani Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga autoritetet serbe”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

“Zyra Ndërlidhës e Republikës së Kosovës në Serbi i ka dërguar notë sqaruese ambasadorëve të Misioneve Diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi nëpërmjet së cilës është theksuar fakti se përkundër kërkesës zyrtare drejtuar autoriteteve të Serbisë ende nuk është kthyer asnjë përgjigje”, thuhet tutje në përgjigje për T7.

Ministria thotë se “ka komunikuar edhe me familjen e personit që raportohet si i vrarë dhe do të angazhohet gjatë gjithë procedurave deri në kthimin e trupit të viktimës në Republikën e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Asnjë koment

Comments are closed.