Sërish për mungesë të kuorumit ndërpritet mbledhja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, pas mbajtjes se pauzës.
Për të dytën herë me ardhë, ka dështuar mbajtja e seancës së rregullt të Kuvendit të Prizrenit, për shkak të mungesës së kuorumit, edhe pse në fillim, pas braktisjes së sallës nga kuvendarët e LVV dhe LDK, rendin e ditës e miratuan 22 kuvendarë të pranishëm.
Para largimit nga salla, shefi i GK të LDK, Haziz Hodaj, tha se në mungesë të rekomandimeve të pikave të rendit të ditës nga KPF-ja, mbledhja e së cilit dështoi ditën e djeshme, nuk mund të kemi seancë të rregullt, dhe mund të konsiderohet si e paligjshme. Lidhur me ligjshmërinë e kësaj seance, i thirr që të jep sqarime zyrtari ligjor komunal, Blerim Rakaj, i cili tha se kjo seancë është thirrur sipas afateve ligjore.
Por, zyrtarit Rakaj iu është kundërpërgjigjur kuvendarja e LVV, Dafina Alishani, ndërsa edhe shefi i GK të këtij subjekti politik, Karanfil Haxhillari, tha se thirrja e seancës është e jashtëligjshme, duke ndarë mendimin e njëjtë me kolegun e tij nga LDK, Hodaj. Pas këtyre diskutimeve, opozita lëshoi sallën e mbledhjes së Kuvendit të Prizrenit.
Pas largimit nga opozita, në sallë mbetën të pranishëm 22 anëtarë të Kuvendit, gjë që mundësoi vazhdimin e seancës dhe miratimin e pikës së rendit të ditës, duke vijuar më pas me pikën tjetër, pyetjet e kuvendarëve dhe përgjigjeve nga ekzekutivi, raporton Televizoni i Prizrenit.
Pas përfundimit të kësaj pike dhe diskutimeve nga kuvendarët, kryetari Shaqir Totaj dhe ekzekutivi, u vërejt se edhe disa kuvendarë lëshuan sallën, dhe se nuk kishte kuorum për votimin e kësaj pike. Kryesuesja, Antigona Berisha- Bytyçi, kërkoi pauzë prej më shumë se një orë e gjysmë, ndërsa pas pauzës, ajo e shpalli të mbyllur seancën, pasi nuk kishte sërish kuorum. /Gazeta e Prizrenit
Lexo edhe:
Sot sfida serioze për Kuvendin e Prizrenit, a do të mbahet mbledhja e ndërprerë?