02-05-2024

Sot sfida serioze për Kuvendin e Prizrenit, a do të mbahet mbledhja e ndërprerë?

Për sot (e premte) është paralajmëruar mbajtja e mbledhjes së dështuar të Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, që për mungesë numrash të pushtetit dhe mosvotimit të rendit të ditës, u ndërpre javën e kaluar. Kjo njëherësh përbën edhe sfidën më serioze të pushtetit përballë opozitës, që ka filluar t’a tregoi “forcën”, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Megjithëse mbledhja është paralajmëruar të mbahet, sipas pikave të propozuara të rendit të ditës, nuk dihet nëse kjo do të ndodhë për shkak të sigurimit të kuorumit, kur dihet se dje përfaqësuesit e opozitës e dështuan edhe mbledhja e Komitetit për Politikë e Financa, që i paraprin seancës,  me arsyetim se pushteti e ka humbur shumicën në Kuvend.

Për mbajtjen e mbledhjeve, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale edhe Statutit të Komunës duhet të ketë kuorum, apo duhet të jenë në sallë së paku 21 nga 41 kuvendarët sa ka gjithsej KK.  Ky rregull vlen edhe për zgjedhjen e Kryesuesit dhe miratimit të buxhetit. Në rastet tjera për kalimin e shumicës së vendime, nevojitet të votojnë vetëm shumica e thjeshtë e kuvendarëve të pranishëm.

Dështimi i seancës së KK-së javën e kaluar, dëshmoi se pushteti tashmë nuk ka më shumë se 12 vota të sigurta, apo as 1/3 e numrit total të kuvendarëve.

PDK që drejton qeverisjen lokale shkaku i kryetarit, zyrtarisht i ka 8, partneri i saj i koalicionit Nisma, i ka dy, ndërsa nga një asambleist e kanë Vakat (R. Demiri) dhe KDTP (L. Buş).

Në anën tjetër 18 kuvendarë janë nga opozita. VV i ka 9,  LDK 6+1 nga PSHDK dhe AAK dy asambleistë.

Pjesë e Kuvendit janë edhe disa kuvendar-e, të cilat kanë dalë nga partitë e tyre duke u deklaruar të pavarur. Bëhet fjalë për 5 syresh (tre nga VV, dy nga PDK dhe një nga AAK), si dhe pjesa tjetër nga komunitetet pakicë, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Këta edhe llogariten si faktori kyç për sigurimin e kuorumit.

Derisa për opozitën brengë përbën qëndrueshmëria kontinuale e kuvendarëve për t’ia pamundësuar qeverisjes së Totajt rehatllëkun, përkundër mungesës së votave dhe perfomancës jo të mirë, të dalë edhe në raportin e sapopublikuar nga Ministria e APL-së për vitin 2022, për pushtetin pikërisht, “të pavarurit” janë targeti .

Siç ka shkruar, gjatë kësaj jave portali Gazeta e Prizrenit, shit-blerja apo “tyxharllëku” është një dukuri që po shkonte drejt normalizimit në Kuvendit Komunal, ku pushteti deri tash ka arritur t’i siguroj votat, pikërisht përmes joshjes personale të kuvendarëve të partive tjera, përfshirë edhe punësimin e tyre apo të familjarëve.

Drejtues të tri partive opozitare: Vetëvendosjes, LDK-së dhe AAK-së, janë shprehur kundër dukurisë së “tyxharllëkut”, por kjo mbetet të shihet në mbledhjen e sotme, në orën 10;00,  dhe ato të ardhmet e KK-së. /GazetaePrizrenit.net

Lexo edhe:

 

Asnjë koment

Comments are closed.