26-04-2024

Sërish shpallet i pafajshëm ish-inspektori i Komunës së Prizrenit i akuzuar për keqpërdorim të detyrës

Ish-inspektori i tregut në Komunën e Prizrenit, Fatmir Gashi është shpallur sërish i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prizren.

Ai akuzohej se kishte keqpërdorur pozitën zyrtare, pasi kishte dhënë pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus” në Prizren, e cila njësi gjendej 300 metra afër xhamisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi tha se Gashi është liruar nga akuzat në mungesë të provave. Sipas saj, nuk është provuar se Gashi ka kryer veprën penale për çka akuzohej.

Gjykatësja tha se palët e pakënaqura me këtë aktgjykim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afatin prej 15 ditë nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar. Ndërkaq, shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të gjykatës.

Kjo është hera e dytë që Gashi shpallet i pafajshëm për këtë vepër penale. Ai ishte liruar nga akuza e njëjtë edhe në mars të vitit 2020.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, Fatmir Gashi akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fatmir Gashi akuzohej se me 29 gusht 2014 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi, ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.