24-11-2024

Shaqir Totaj jep dorëheqje nga ATK

Shaqir Totaj ka vendosur t’i përkushtohet politikës. Ai ka dhënë dorëheqje nga posti i Menaxherit Regjional të Administratës Tatimore të Kosovës, ku ka punuar afro 20 vjet, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Ai aktualisht është kryetar i degës së PDK-së në Prizren, dhe ka kandiduar për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit.

Fotografia e Shaqir Totaj

Në kërkesën për dorëheqje drejtuar autoriteteve të ATK-së, Totaj ka theksuar se kështu vepron konform kërkesave ligjore, për t’i hapur rrugë angazhimit të mëtutjeshëm të tij politik.

“Ka qenë kënaqësi dhe privilegj që të jem në grupin e parë të të punësuarve kur u themelua institucioni dhe ndër bartësit e zhvillimit të ATK-së nëpër të gjitha fazat e kaluara”, ka shkruar ai, duke i dëshiruar suksese të reja ATK-së.

Totaj është vlerësuar njëri prej top-menaxherëve në këtë institucion për vite me radhë. Ai ka ndjekur një program prestigjioz trajnimi në vitin 2009-2010 në Universitetin e Uashingtonit të mbështetur nga Ambasada amerikane me temën “Menaxhmenti dhe lidershipi në sektorin publik”.

Në këtë fushë është certifikuar edhe si ekspert ndërkombëtar për performancë në Administratën tatimore nga FMN-ja në Uashington në vitin 2015.

Për vite të tëra Totaj ishte angazhuar edhe në sport, përkatësisht si aktivist basketbolli, ndërsa nga viti 2013 është edhe nënkryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.