15-04-2024

Shaqir Totaj – kryetari i Prizrenit që punësoi më së shumti familjarë

Nga paslufta, Prizrenin e kanë udhëhequr pesë kryetarë komune, ndërsa prej të gjithëve, Shaqir Totaj ka punësuar më së shumti familjarë, për çka edhe ka nxitur reagime nga opinioni dhe opozita, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Gjatë mandatit të tij, pozitës për punësime ia kanë pa hajrin, edhe përfaqësues nga ekzekutivi dhe Kuvendi Komunal.

Eqrem Kryeziu nga fundit i vitit 2000, i pasuar nga Ramadan Muja ( fundi i viti 2007-2017), Mytaher Haskuka (2017-2021dhe Shaqir Totaj nga viti 2021 i kanë prirë Komunës së dytë në Kosovë, pas kryeqytetit.

Më së gjati në pushtet, për dhjetë vjet ( tri mandate 2+4+4) ka qëndruar Muja.

Totaj që mori pushtetin vetëm pas një mandati të Haskukës së Vetëvendosjes, kishte premtuar dhe ishte lavdëruar për parime të forta, në qeverisje, por gjërat ndryshuan me të ardhur në pushtet, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Nga publikimet e medieve dhe opozitës, del se pikërisht Totaj punësoi më shumë familjarë, madje brenda dy viteve të para të mandatit në postin më të rëndësishëm të Prizrenit.  

Në tetor të vitit 2022, djali i tij, Adonis Totaj është punësuar në kompaninë publike në “Ekoregjion”, ku Komuna është aksionare më 60%. Një vit e gjysmë pasi e “rehatoi” djalin, kryetari i Prizrenit e ka hequr gajlen e punës edhe për renë e tij, Elma Bytyqi (gruaja e Adonis Totajt)  është punësuar si Edukatore në shkollën “Mati Logoreci” në qytet.

Sipas asambleistes së KK-së nga VV, Dafina Alishani, po ashtu në Drejtorinë Për Kulturë, Rini e Sport është punësuar edhe mbesa e Totajt,  M.  Morina ( vajzës së motrës ) në pozicionin “mbështetëse teknike”.

Ndaj këtyre veprimeve, ka pasur reagime nga shoqëria civile si dhe nga asambleistët opozitarë në Kuvendin Komunal, të cilët e kanë kritikuar Totajn për nepotizëm.

Dega e LDK-së ndërkaq, ka organizuar aksion simbolik para selisë së kryetarit Totaj me moton: “Shtëpia e punësimeve – Totaj Family”.

Gjatë mandatit të tij, pozitës që mbanin ia kanë pa hajrin për punësime edhe përfaqësues nga ekzekutivi dhe Kuvendi Komunal. Siç ka raportuar Gazeta e Prizrenit, në këtë mandat janë punësuar edhe asambleistë dhe familjarë të tyre. Opozita ka kritikuar se përmes joshjes për votime pro pushtetit, është bërë drejtor shkolle burri i një asambliste.

Në të ardhmen, Gazeta e Prizrenit do të trajtoj edhe rastet e tjera të punësimeve të zyrtarëve të qeveisjes Totaj. /Gazeta e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.