24-11-2024

Shaqiri luan pak, por ofron vazhdimisht momente magjie te Liverpooli

Juergen Klopp vazhdon të rezervojë pak minuta për Xherdan Shaqirin. Por futbollisti më i suksesshëm shqiptar shfaq vlerat sa herë që ka rastin të paraqitet në fushë për Liverpoolin.

Kështu ndodhi edhe të shtunën mbrëma, kur reprezentuesi i Zvicrës e luajti ndeshjen e parë të këtij edicioni në Premier League. Shaqiri luajti në mesin e fushës, jo në krah, dhe një moment magjia e tij bëri dallimin. Ai u aktivizua në minutën e 70-të, ndërsa në minutën e 85-të bëri pasim të jashtëzakonshëm për Diogo Jota, që realizoi golin e fitores 2:1. Liverpooli e mposhti West Hamin me shumë vështirësi në kuadër të xhiros së shtatë të kampionatit anglez.

Shaqiri ka edhe dy ndeshje në Ligën e Kampionëve e një për Kupë. Edhe në Champions ndaj Midtjyllandit u paraqit në nivel të lartë.

“Ishte e jashtëzakonshme. Natyrisht rezervistët vazhdimisht mundohen të ndryshojnë lojën dhe mundohen ta vendosin ndeshjen”, ka thënë Shaqiri për faqen zyrtare të Liverpoolit.

“Unë jam lojtar që mund ta ndryshoj lojën, po ashtu edhe Diogo. Na është dashur kjo, ishte perfektë”, ka shtuar Shaqiri.

Ai ka vlerësuar se kontributi ishte i përbashkët te goli i bukur. Ka theksuar se ishte gol i bukur dhe i rëndësishëm. Shaqiri është shprehur i lumtur që tri pikët kanë mbetur në Anfield.

“Ishte ndeshje e vështirë. E kemi ditur se West Hami do të vijë me shumë besim, pasi po ka rezultate të mira ndaj ekipeve të mëdha. E kemi parë këtë në fillim dhe West Hami kaloi në epërsi. Por ne kemi vazhduar të luajmë lojën tonë deri në fund. Ne jemi munduar dhe në fund e rëndësishme është të fitohet ndeshja”.

Shaqiri është i lumtur që po luan sërish dhe shpreson të fitojë rastin më shpesh.

“Është gjithnjë mirë të jesh i përfshirë. Qartë, se isha i lënduar shumë dhe për mua gjithnjë rruga ishte e vështirë deri më tani. Jam i lumtur që kam sërish minutat e mia. Jam munduar të qëndroj i gatshëm dhe shpresoj të vazhdoj të jem i gatshëm”, ka thënë Shaqiri.

Klopp e ka lavdëruar Shaqirin. Ka thënë se ai po kalon formë të mirë dhe është e natyrshme që ka fituar rastin./KD

Asnjë koment

Comments are closed.