Në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, sot ka dështuar të mbahet seanca ku paditësi Nazim Halimi po kërkon lirimin e pronës pasi pretendon se ajo është uzurpuar nga Driton Qengaj, Kamber Nuhiu, Ramadan Mustafa, dhe Bekim Krasniqi.
Shkak i shtyrjes së seancës në divizionin civil u bë mungesa e të paditurit Ramadan Mustafa, i cili sipas gjykatës nuk ka fakte se është ftuar në mënyrë të rregullt.
Në këtë çështje civile që po zhvillohet sipas padisë së vitit 2016, gjykatësja Sabaheta Kurteshi, njoftoi palët se të paditurin Mustafa për seancën e radhës do ta ftojë përmes tabelës publike.
Paraprakisht, përfaqësuesi i paditësit Halimi, avokati Asman Hoxha ka kërkuar nga ana e gjykatës që në seancën e radhës të ftojë një ekspert, ku si gjeometër ka propozuar Xhevat Isufin.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 21 maj 2019 në orën 13:15 ku palëve prezent ky komunikim do t’ju shërbej në vend të ftesës.
Nazim Halimi kishte paraqitur padi më 1 dhjetor 2016 në Gjykatën Themelore në Prizren, dega Dragash ndaj Driton Qengaj, Kamber Nuhiut, Ramadan Mustafës dhe Bekim Krasniqit.
Sipas kësaj padie, vlera e kontestit është 5000 mijë euro, ndërsa paditësi pretendon se të paditurit në mënyrë të paligjshme po shfrytëzojnë pronën e tij.
Halimi, pretendon se të njëjtit po i uzurpojnë një pjesë të pronës, duke e përdorur si rrugë të automjeteve e me të po e pengojnë paditësin të shfrytëzojë dhe të gëzojë pronën e tij në mënyrë të qetë.
Paditësi, në padi thekson se pronën e ka trashëguar nga prindi i tij, kurse të paditurit po e shfrytëzojnë pronën me pretekstin se është rrugë publike apo pronën shoqërore.
Por, sipas Halimit, ky deklarim i tyre nuk është i vërtetë andaj në bazë të asaj që atij të mos i pengohet posedimi i lirë i pronës, përmes padisë, bën thirrje që gjykata përmes aktgjykimit t’i kthejë pronën./betimiperdrejtesi