Shefi i zyrës së prokurimit në Prizren kundërshton aktakuzën, prokuroria thotë se ka prova të mjaftueshme
Shefi i zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj, në shqyrtimin e dytë të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka kundërshtuar aktakuzën që e ngarkon atë me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Mbrojtësi i të akuzuarit Osmankaj, avokati Skender Morina, deklaroi se mbetet pranë kërkesës për hudhjen e aktakuzës, me arsyet dhe provat e propozuara si në kërkesë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, sipas prokurores Ervehe Gashi, aktakuza është e bazuar në prova të pranueshme dhe është arsyetuar mjaftueshëm, duke i dhënë theks të veçantë dëshmisë së dëshmitarit Liman Asllani.
Prokurorja Gashi i ka propozuar gjykatës që ta refuzoj kërkesën për hudhjen e aktakuzës dhe të vazhdohet me shqyrtim gjyqësor, sepse sipas saj, një kërkesë e tillë nuk ka mbështetje ligjore.
Lidhur me këtë, gjykatësja Ajser Skenderi bëri të ditur se gjykata do të merr vendim me shkrim.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Isa Osmankaj akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ai akuzohet se në periudhën kohore maj 2017, e deri në maj 2018, në cilësinë e shefit të zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vepron në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik, lidhur me tenderin “Shenjëzimi horizontal, vertikal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit”, e lidhur me ankesën e operatorit ekonomik NPTSH “Limit L&B”, me seli në Prizren, si tenderues i suksesshëm, refuzon ankesën duke pretenduar se “Deklarata nën betim” e parashtruesit “Boja SHPK” me seli në Sambor dhe marrëveshja me të njëjtin partner është e falsifikuar, kërkon nga PSHP që të bëjë diskualifikimin e këtij operatori, për shkak të dokumenteve të falsifikuara të ndërmerren masa për falsifikim sipas nenit 92 të LPP-së, me ç’rast PSHP, me vendim me nr.259 të 4 majit 2017, refuzon ankesën me arsyetim se nuk kanë gjetur prova për falsifikim.
Sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari më 19 qershor 2017, bënë njoftimin për dhënien e kontratës për operatorin ekonomik “Sinjalizimi” edhe pse ishte shpallur i papërgjegjshëm nga PSHP-ja, me këtë vendim nuk njofton operatorët e tjerë me qëllim që t’i shmang ankesat e operatorëve jo fitues, nuk njofton për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së ofertës dhe dorëzimin e garancisë së re, pa skaduar afati i ankesave.
Në aktakuzë thuhet se ai e nënshkruan kontratën me operatorin “Sinjalizimi”, më 3 korrik 2017, duke vepruar në kundërshtim me paragrafin 4.1 dhe 4.3 të nenit 20 të ligjit 4/L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-237, 05/L-068 dhe 05/L-042 për të cilat shkelje gjobitet nga OSHP-ja, edhe për kundër faktit se ky operator është shpallur i papërgjegjshëm më 10 gusht 2017, përsëri e shpall fitues operatorin “Sinjalizimi”, me ankesën e të dëmtuarit me 21 shtator 2017, ky njoftim është anuluar dhe përsëri pas rivlerësimit për kontratë, i pandehuri rekomandon operatorin e njëjtë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se pas ankesës së operatorit ekonomik “LIMITI&BOJA&DRINI”, OSHP-ja më 19 tetor 2017, kërkon që të anulohet i gjithë aktiviteti i prokurimit, me ç’rast më 5 dhjetor 2017, i pandehuri e anulon njoftimin për dhënien e kontratës dhe njofton OPSH-në, ndërsa duke mos respektuar dispozitat ligjore të LPP-së lejon që Komuna e Prizrenit, në maj të vitit 2018, të fillojë zbatimi i kontratës së anuluar nga OSHP-ja.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka shkelur të drejtat e operatorit ekonomik “LIMIT L&B” dhe i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si dhe i ka mundësuar kompanisë “Sinjalizimi&Zmas” zbatimin e një kontrate joekzistente, në vlerë 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163.257.72 euro.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi