24-11-2024

Shefi i Zyrës së Prokurimit në Prizren thotë se kishin respektuar vendimin e OSHP-së dhe komisioni i ri shpalli fitues operatorin e njëjtë

Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, të mërkurën ka dhënë mbrojtjen e tij shefi i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Prizrenit, Isa Osmankaj, i cili tha se kishin respektuar vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe kishin bërë formimin e komisionit të ri, i cili komision përsëri e kishte shpallur fitues të njëjtin operator.

Në këtë rast, Osmankaj po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Isa Osmankaj deklaroi se qëndron pranë deklaratës së dhënë në prokurori më 20 qershor 2018 dhe shtoi se në Komunën e Prizrenit punon që nga viti 2001, fillimisht si bashkëpunëtor profesioanl, e që nga 2013 punon si udhëheqës i Prokurimit në Komunën e Prizrenit.

Ai tha se hapjen e tenderëve e bën kryetari i Komunës, me të cilin ai si kryetar bën krijimin e deklaratës së disponueshmërisë së mjeteve ku përfshihet titulli, natyra, vlera e projektit dhe vërteton se a ka mjete financiare për realizimin e projektit, të cilën deklaratë e nënshkruan edhe zyrtari financiar dhe përgjegjësi i njësisë.

Pas plotësimit të këtij kushti dhe hartimit të paramasave me parallogari,  edhe vendimi i kryetarit së bashku si dokumentet tha se sillen në zyrën e prokurimit dhe zyrtari përgjegjës i prokurimit konstaton se a janë plotësuar kushtet që një proces i tillë i prokurimit të iniciohet.

I njëjti shtoi se vlerësimin e ofertave dhe operatorin e përgjegjshëm e bën komisioni, i cili propozohet nga zyrtari i prokurimit dhe që i cakton kryetari i Komunës.

Po ashtu, tha se  komisioni pasi përfundimit të punës me raport të vlerësimit i dërgojnë propozimin te zyrtari përgjegjës i prokurimit, pra tek ai dhe ky i fundit si zyrtar ka të drejtë që këtë raport ta pranojë dhe nëse ka dyshime për parregullsi, ka të drejtë që të kërkojë formimin e komisionit të ri dhe se s’ka të drejtë që të vendos për fituesin e tenderit pa pasur propozim të komisionit.

I akuzuari Osmankaj deklaroi se sipas LPP-së, kontratat me vlerë të vogël dhe të mesme i nënshkruan zyrtari përgjegjës i prokurimit me operatorin ekonomik, ndërsa kontratat me vlerë të madhe, i nënshkruan krahas dy personave edhe lryetari i Komunës dhe se në rastin konkret, kontratën e ka nënshkruar zyrtari përgjegjës i Prokurimit, kryetari i Komunës dhe operatori ekonomik për shkak të vlerës së kontratës.

Tutje, shtoi se në rastin konkret, ka aprovuar vlerësimin e komisionit dhe se operatori ekonomik “Limit” është shpall i papërgjegjshëm pasi që ka pasur çmimin e ofertës më të ulët se sa operatori i propozuar për kontratë.

Osmankaj tha se operatori ekonomik  “Limit& Boja& Drini” të pakënaqur me vendimin kishin parashtruar  ankesë në OSHP, ku OSHP ka nxjerrë vendim për të lënë në fuqi vendimin e autoritetit kontraktues dhe se pas kësaj si autoritet kishin publikuar njoftimin për dhënien e kontratës, e që pas kësaj përsëri grupi i operatorëve ekonomik ka parashtruar ankesë në OSHP, e cila ka nxjerrë vendim, me të cilën ka kërkuar që procesi të rivlerësohet.

Osmankaj deklaroi se pas këtij vendimi, ata kanë bërë vlerësimin e krejt procesit dhe se në këtë rast kishin vlerësuar prapë fitues operatorin ekonomik, pasi që kriteri  i gjerësisë së tabelës nuk ka qënë fare kriter për vlerësim dhe se për këtë edhe OSHP ka kërkuar që vendimi i autoritetit kontraktues të prishet.

Po ashtu, tha se ata si autoritet kontraktues përsëri kishin shpallur fitues operatorin ekonomik, ku edhe kanë nënshkruar kontratën më 3 korrik 2017 dhe se kompania “ Limit& Boja& Drini” kanë parashtruar ankesë në OSHP ku OSHP më 4 gusht 2017 ka shfuqizuar kontratën e nënshkruar dhe lëndën e ka kthyer në rivlerësim.

Pas kësaj, deklaroi se si autoritet kontraktues kishin formuar komision të ri dhe procesin e kishin kthyer në zero dhe se komisioni në procesin e rivlerësimit e ka shpall fitues të njëjtin operator si më herët e që pastaj përsëri dy operatorl kishin parashtruar ankesë.

Më pas tha se OSHP ka marrë vendim që ky proces të anulohet në tërësi dhe lënda të shkojë në ritenderim dhe se Komuna e Prizrenit ka anuluar aktivitetin e këtij prokurimi.

Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues Ajser Skënderi seancën e sotme e ndërpreru dhe e njëjta do të vazhdojë më 6 janar 2022, ku do të vazhdohet me pyetjet nga ana e prokurorit të çështjes.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren të ngritur më 19 prill 2019, i pandehuri Isa Osmankaj akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se në periudhën kohore maj 2017, e deri në maj 2018, në cilësinë e shefit të zyrës së prokurimit në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari vepron në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurimin Publik, lidhur me tenderin “Shenjëzimi horizontal, vertikal dhe vendosja e barrierave në rrugët e Prizrenit”, e lidhur me ankesën e operatorit ekonomik NPTSH “Limit L&B”, me seli në Prizren, si tenderues i suksesshëm, refuzon ankesën duke pretenduar se “Deklarata nën betim” e parashtruesit “Boja SHPK” me seli në Sambor dhe marrëveshja me të njëjtin partner është e falsifikuar, kërkon nga OSHP që të bëjë diskualifikimin e këtij operatori, për shkak të dokumenteve të falsifikuara të ndërmerren masa për falsifikim sipas nenit 92 të LPP-së, me ç’rast OSHP, me vendim me nr.259 të 4 majit 2017, refuzon ankesën me arsyetim se nuk kanë gjetur prova për falsifikim.

Sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari më 19 qershor 2017, bën njoftimin për dhënien e kontratës për operatorin ekonomik “Sinjalizimi” edhe pse ishte shpallur i papërgjegjshëm nga OSHP-ja, me këtë vendim nuk njofton operatorët e tjerë me qëllim që t’i shmang ankesat e operatorëve jofitues, nuk njofton për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së ofertës dhe dorëzimin e garancisë së re, pa skaduar afati i ankesave.

Në aktakuzë thuhet se ai e nënshkruan kontratën me operatorin “Sinjalizimi”, më 3 korrik 2017, duke vepruar në kundërshtim me paragrafin 4.1 dhe 4.3 të nenit 20 të ligjit 4/L-042 i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-237, 05/L-068 dhe 05/L-042 për të cilat shkelje gjobitet nga OSHP-ja, edhe për kundër faktit se ky operator është shpallur i papërgjegjshëm më 10 gusht 2017, përsëri e shpall fitues operatorin “Sinjalizimi”, me ankesën e të dëmtuarit me 21 shtator 2017, ky njoftim është anuluar dhe përsëri pas rivlerësimit për kontratë, i pandehuri rekomandon operatorin e njëjtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se pas ankesës së operatorit ekonomik “LIMITI&BOJA&DRINI”, OSHP-ja më 19 tetor 2017, kërkon që të anulohet i gjithë aktiviteti i prokurimit, me ç’rast më 5 dhjetor 2017, i pandehuri e anulon njoftimin për dhënien e kontratës dhe njofton OSHP-në, ndërsa duke mos respektuar dispozitat ligjore të LPP-së lejon që Komuna e Prizrenit, në maj të vitit 2018, të fillojë zbatimi i kontratës së anuluar nga OSHP-ja.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka shkelur të drejtat e operatorit ekonomik “LIMIT L&B” dhe i ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, si dhe i ka mundësuar kompanisë “Sinjalizimi&Zmas” zbatimin e një kontrate joekzistente, në vlerë 358,039.06 euro, nga e cila kontratë deri me datën e kryerjes së ekspertizës janë realizuar punë në vlerë prej 163.257.72 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2.1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet ./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.