Sheh Hilmi Maliqi, patriot e mbrojtës i çështjes kombëtare nga Rahoveci
Sheh Maliqi, me prejardhje nga katundet Anadrinit, si hoxhë e myfti kishte shërbyer në Rahovec në vitet tetëdhjeta të shekullit XIX. Gjatë shërbimit të tij dyzetvjeçar la një varg veprash origjinale dhe të përkthyera me përmbajtje fetare, të shkruara me alfabetin arabo-turk, ndër të cilat edhe një Divan me 77 këngë, ku paraqitet gjendja gjuhësore e periudhës së shekullit XIX në trevën e Anadrinit.
Ai ishte personaliteti i shquar fetar, arsimor dhe kombëtar është një nga bijt e denjë të Kosovës e të mbarë viseve shqiptare. Studimet i kreu në Medresenë e Mehmet Pashës në Prizren, ku u pais me bazat e njohurive islame, duke u ngritur më pas në nivele të larta të mendimit islam, veçanërisht në fushën e tesavufit.
Punoi fillimisht si imam e pastaj si myfti në rrethin e Rahovecit. Shtëpia modeste e tij, alias teqe e Melamive, u kthye në një qendër të rinisë për edukatën islame. “Melami” do të thotë të kritikosh vetveten, të jesh autokritik.
Sot teqet e melamive, si vëllazëri dervishësh, ndodhen në Suhadoll të Mitrovicës, në Prizren e në Rahovec. Këtij tarikati i përkisnin shehlerë të fortë fetarë si Ymer Lutfi Paçarizi nga Prizreni, Sheh Jonuzi nga Suhadolli, Sheh Mala nga Rahoveci, Sheh Sulejmani nga Gjakova, etj. të cilët, përveç se udhëhiqnin teqetë e veta, lanë dorëshkrime që dokumentojnë për një punë shumë të dobishme në fushë të historisë së letrave dhe të shkrimit shqip në këto troje.
Sheh Hilmi Maliqi ka shkruar disa poezi, të cilat këndoheshin si ilahi nëpër teqe. Krijimtaria poetike e Hilmi Maliqit, si dallim nga ajo e shkruar në prozë, do të tërheqë vëmendjen e studiuesve dhe amatorëve të shumtë të fjalës së shkruar shqipe. “Divani” i tij do të bëhet objekt studimesh edhe për vlerat e tij gjuhësore nga akademik Idriz Ajeti, si dhe studiues të tjerë, veçanërisht për të interesuarit në çështje fetare e kulturore.
Ky përsonalitet ka hyrë në historinë e arsimit e të shkollës, madje edhe të mendimt pedagogjik, për veprimtarinë e tij me vlerë, krahas asaj fetare, edhe në fushën e arsimit. Në shkollat e asaj kohe, si në mejtepet, iptidaijet, ruzhdijet, idadijet dhe medresetë, në të cilat mësonin shqiptarë, u dalluan disa myderrizë ndër të cilët dhe Sheh Hilmi Maliqi nga Rahoveci.
Halim Maliqi ka ushtruar edhe mësuesinë, duke shkruar vepra në gjuhën shqipe me alfabet arab. Veprat e tij kanë dhe ide pedagogjike. Ka ushtruar veprimtari fetare dhe arsimore në Rakovec.
Në teqen e ndërtuar me ndihmën e popullit kontribuoi si arsimtar dhe klerik, madje më tepër si arsimtar. Në teqe, ku kishte hapur shkollën, përveç mësimit fetar, zhvillonte edhe aritmetikë, gjeografi e lëndë të tjera. Vlerësonte edukatën e punës dhe rekomandonte punë fizike për nxënësit, duke i çmuar të gjitha llojet e punës. Natyra e tij e drejtë bënte t’i vlerësonte njëlloj, sipas aftësive reale, të gjithë nxënësit, t’i trajtonte ata pa përdorur ndëshkime fizike, duke krijuar një mjedis të ngrohtë e duke nxitur miqësinë në mes tyre. (Marrë nga Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shekullit XX nga Dr. Ramiz Zekaj). Foto: Rahovec News /Gazetae Prizrenit.net/