Shënimi i 141-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare po kalon me disa aktivitete kryesisht letrare dhe në atmosferë të zbehtë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Disa nxënës të shkollave fillore, e pak zyrtarë, kryesisht ata të koalicionit qeverisës në Prizren kanë qenë në Orën letrare për fëmijë “Ditët e Lidhjes”, me të cilën gjatë paradites kanë filluar aktivitetet në organizim të komunës së Prizrenit, kushtuar kësaj ngjarjeje.
Në këtë aktivitet nuk janë parë përfaqësues të institucioneve tjera të rëndësishme në qytet e as ata të partive opozitare.
Për dallim nga shumë përvjetorë të tjerë, sivjet nuk është mbajtur as një Akademi Solemne në mjedise të Kompleksit të LSHP-së e as në ato të Kuvendit Komunal.
Në këtë ditë në Prizren nuk u pa askush nga zyrtarët e lartë të institucioneve qendrore , e as historianët nuk organizuan ndonjë aktivitet, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.
Në këtë rast shtrohet pyetja, a meriton kjo ngjarje t’i kushtohet rëndësi veç në raste jubilesh, siç ka qenë vitin e kaluar kur edhe është shënuar 140-vjetori i mbajtjes së saj?
Përkundër kësaj, në këtë kompleks që sipas përgjegjësve të saj, asnjëherë nuk mungon numri i vizitorëve, gjatë ditës së sotme, ka pasur numër edhe më të madh, shumica nxënës shkollash.
Ajo që sot ishte karakteristikë, por që ka ndodhur edhe herëve të tjera, ishte ekspozimi i karrigeve në oborr të Kompleksit, në një kohë me diell sikur ka mbretëruar sot, e pa ndonjë tendë për mbrojtje, duke e bërë të sikletshëm përcjelljen e aktiviteteve, të cilat janë organizuar.
Karakteristikë e këtij përvjetori ka qenë qëndrimi në karrocë i një burri të moshuar, që mbante një pankartë në të cilën kërkohej kthimi i pamjes së vjetër të logos së Komunës së Prizrenit, kur ndodhet edhe vitit 1878, që është hequr gati një dekadë më parë.
Mund të thuhet se aktivitetet e mbajtura tashmë janë pothuajse “reprizë” nga vitet paraprake, dhe se diçka kreative nuk ka.
E kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, në fjalimin e të tij, ka thënë se pas 141 vitesh të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duhet vazhduar të punojmë për një të ardhme më të mirë të kombit tonë, ashtu siç na e la e lanë porosi burrat e mëdhenj të kohës, që ishin mbledhur me 10 Qershor të vitit të largët 1878 në Prizren.
Në kuadër të manifestimit “Ditët e Lidhjes-2019”, poezitë e tyre për të rritur i kanë ndarë 16 krijues, ndërsa në ora 20:00 është paraparë koncerti muzikor “Nostalgjia” me performancë të artistëve Agim Gërguri, Osman Shehu dhe Agim Tejeci.
Njëri nga aktivitet jashtë institucioneve, që parashihet të organizohet nga Lëvizja Vetëvendosje do të jetë marshimi me flakadanë, nga Kalaja deri tek objekti i Lidhjes së Prizrenit. Nisja nga Kalaja bëhet në orën 21:00. /GazetaePrizrenit.net