Shërohen edhe 19 të prekur nga koronavirusi në Malishevë

Komuna e Malishevës bën të ditur se atje janë shëruar edhe 19 qytetarë që ishin të prekur me Covid-19.

“Pas 40 ditësh në karantinë të plotë, Komuna e Malishevës sonte ka marrë një prej lajmeve më të mira në këto ditë të vështira të pandemisë me COVID-19, pasi edhe zyrtarisht, janë shëruar edhe 19 qytetarë të prekur me virusin korona. Numri i përgjithshëm i të shëruarve në Komunën e Malishevës, arrin në 55  të shëruar”, thuhet në një njoftim nga Komuna.

“Tani e sa ditë jemi duke u përballur me një situatë të rënduar, por gjithmonë kemi punuar dhe kemi shpresuar se kjo do të kaloj. Sot morën lajmin e gëzueshëm, se 19 qytetarë të Komunës së Malishevës, janë shëruar plotësisht dhe numri i të shëruarve shkon në 55. Një person ka rezultuar me fatalitet, ndërsa në kurim e sipër mbesin edhe 14 qytetarë të tjerë, të cilët besojmë se shumë shpejt do të shërohen. Ky lajm është shumë inkurajues, dhe e dërgon Malishevën drejt heqjes së karantinës. Por për të ndodhur kjo, ne duhet ta ruajmë qetësinë dhe ti respektojnë udhëzimet dhe rregullat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Bashkë do ja dalim”, ka thënë mes tjerash, nënkryetari i Komunës së Malishevës, në një fjalim drejtuar qytetarëve të Komunës së Malishevës.