Shfrytëzojnë mbylljen e Z-Mobile, Ipko e Vala dyshohet se u morën vesh për rritje të çmimeve
Dyshohet se kjo është bërë në mënyrë të bashkërenduar pas daljes nga tregu të Z-Mobile, të cilës iu shkëput kontrata nga Telekomi në korrik të këtij viti, përcjellë Buletini Ekonomik.
Burime të afërta me ketë proces i kanë thënë Buletinit Ekonomik se rritja e tarifave nga këta dy operatorë ka qenë e bashkërenduar.
“Z-Mobile është shquar në treg për oferta me çmime shumë të lira dhe dy operatorët tjerë disi kanë qenë të obliguar t’i ndjekin të njëjtat çmime. Pasi Z-Mobile-t iu shkëput kontrata menjëherë çmimet janë rritur nga të dy operatorët”, ka thënë ai.
Kryetari i Komisionit për Konkurrencë, Sakip Imeri, ka thënë për Buletinin Ekonomik se deri më tani ky institucion nuk e ka trajtuar këtë rast, porse nuk e ka përjashtuar si mundësi që do të ndodhë në të ardhmen.
Ndërkaq, rritja e tarifave nga këta dy operatorë, krahasuar me çmimet paraprake, del të jetë shumë e madhe.
Kështu, përderisa konsumatorët e Valës deri në muajin e kaluar kanë paguar 9 centë për çdo minutë për thirrje telefonike brenda të njëjtit operatorë, që nga fillimi i këtij muaji do të paguajnë 13 centë. Ndërkohë për thirrje telefonike me operatorë të tjerë brenda Kosovës çdo minutë konsumatorëve të Valës do t’iu kushtojë 15 centë, dy centë më shtrenjtë sesa kishte qenë. Edhe dërgimi i mesazheve është shtrenjtuar. Nga 2 centë sa ka qenë është bërë 6 centë.
Përkundër insistimit, në këtë ndërmarrje nuk kanë pranuar t’i japin arsyet e këtij vendimi.
Në anën tjetër, shtrenjtimi i thirrjeve dhe mesazheve telefonike është bërë edhe nga Ipko. Kështu derisa thirrja telefonike çdo minutë brenda operatorit ka kushtuar 9 centë, tash e disa muaj është bërë 13 centë. Jashtë operatorit nga 10 centë është bërë 15, ndërkohë që dërgimi i një mesazhi kushton 6 centë.
Armend Prekazi, zyrtar në Ipko, ka shpjeguar se me rregulloret e fundit për çmimet e roamingut në Ballkanin Perëndimor, operatorët në rajon po detyrohen të ulin ndjeshëm çmimet e thirrjeve në roaming dhe t’i çojnë ato në nivele të ngjashme me thirrjet kombëtare.
“Rregulloret kanë efekte të konsiderueshme në strukturat tona të kostos dhe në bazë të kësaj ne kemi rregulluar çmimet për thirrjet kombëtare. Bazuar në këtë, ne kemi ndryshuar çmimet për minutë në “pay as you go “ ofertë, por vlen të përmendet se shumica e klientëve tanë përdorin paketat e kombinuara me sasi të ndryshme minutash të përfshira (TIP, Ideale, Plan, HEJ!, etj.). Ata mund të zgjedhin midis paketave që u përshtaten nevojave të tyre dhe si të tilla nuk preken me të vërtetë nga këto ndryshime të çmimeve për minutë”, ka thënë ai.
Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje edhe tek Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike (ARKEP), mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë përgjigje.