SHKA “Agimi” në prag të 75 vjetorit të themelimit
SHKA “Agimi” shënon 75 vjetorin e themelimit, 75 vjet të aktivitetit kapital në kultivim, ruajtje dhe avancim të vlerave muzikore kombëtare.
Ky ansambël thotë se për 75 vjet bëri kultivim të vlerave të mirëfillta artistike e kulturore shqiptare. 75 vjet frymëzim të gjeneratave të reja të artistëve. 75 vjet me këngë, valle krijimtari letrare, art pamor e skenik.
Për tri ditë me radhë, me 25, 26 dhe 27 nëntor me SHKA “Agimi” Prizreni do të frymojë me programet festive, të përgatitura nga ansambli që nga muaji qershor i këtij viti.
“I themeluar prej mendjeve më të ndritura dhe intelektualëve të kohës ShKA “Agimi” u bë strehë dhe shkollë e shumë emrave që kanë lënë gjurmë në krijimtarinë jo vetëm muzikore të vendit”.
Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” është themeluar në nëntor të vitit 1944 nga Anton Lumezi, Nuri Sherifi, Lorenc Antoni.
Aktivitetet e para kulturore artistike u organizuan në pjesën e dytë të nëntorit të vitit 1944 nga një ekip kulturor, i cili në fillim të vitit 1945 morri emrin “Ekipi Kulturor i Komitetit Shqiptar”. Programet e para të këtij ekipi kishin një karakter mozaiku, me këngë korale, recitime dhe këngë popullore.
Kori me një zë fillimisht drejtohej nga Anton Lumezi, pastaj Nuri Sherifi, derisa në vitin 1945 drejtimin e tij e merr Lorenc Antoni, duke e avancuar në kor miks.
Përkrah korit e fillon punën edhe orkestrina popullore dhe ajo argëtuese me: Anton Lumezin, Nuri Sherifin, Xhemil Dodën, Kolë B. Shirokën, Lazër Mjedën, Anton Çettën, pastaj Gjon Delhysën, Fran Gomillën, Kolë Gjonin, Matej Vuçajn, etj.
Kjo orkestrinë ka përcjellë edhe solistet e para, siç ishin: Vera Shahta, Shpresa Fehmiu, Nedime Kabashi, etj, ndërkohë që janë angazhuar edhe regjisorët amatorë, si Shemsidin Kirajtani dhe të tjerë.
Me rritjen e numrit të anëtarëve dhe seksioneve, Ekipi Kulturor i Komitetit Shqiptar shëndrrohet në ShKA AGIMI, me nismën e profesor Zekirja Rexhës ku kryetar i parë u zgjodh Anton Çeta.
Në këtë mënyrë u vendosën themelet e shoqërisë më të vjetër dhe shumëdegëshe ndër shqiptarët e Kosovës.
Kontribues në ShKA “Agimi” kanë qenë edhe profesorët, Engjëll Berisha dhe Mark Kaqinari, dhe shumë të tjerë.
ShKA “Agimi” ka vijuar veprimtarinë për 75 vjet, në disa seksione. Rruga e zhvillimit të saj nuk ka qenë e lehtë, por në programin e saj gjithnjë janë kultivuar vlerat e mirëfillta shqiptare, duke i kushtuar rëndësi ruajtjes dhe zhvillimit të këngëve, valleve, krijimtarisë letrare, artit pamor dhe skenik.
Pas mbylljes së të gjitha institucioneve arsimore e kulturore gjatë viteve të 90-ta nga regjimi serb, lokalet e ShKA “Agimi” ishin e vetmja strehë aktiviteteve kulturore. Ansambli u shndërrua në Shtëpi të Kulturës si dhe Shkollë të muzikës.
“Nga ShKA Agimi kanë dalë emra të njohur që lanë gjurmë në artin e Kosovës me të cilët mburret Kosova. Kontribuues në SHKA “Agimi”, kanë qenë edhe kompozitorët si, Lorenc Antoni, Rexho Mulliqi, Engjëll Berisha dhe Mark Kaçinari, por edhe shumë intelektualë të tjerë tashmë të njohur të kulturës shqiptare, si Gazmend Zajmi, Qamil Nixha, etj. Në udhëheqje të Shoqatës janë dalluar Subhi Pasuli, Petrit Nushi, Dashnor Xërxa, Engjëll Çeta, Zef Delhysa, Kadri Skeja dhe emra të tjerë”, njofton ansambli.
Agjenda e shënimit të përvjetorit të 75:
25 nëntor 2019
19.00. Koncerti i Veteranëve të ShKA “Agimi”
19.40. Spektakël Danci “Rrotull vetes” Elbasani
26 nëntor 2019
Koncert festib – 75 vite pune aktive në skenë (seksionet: Kroi, Orekstrina dhe valltarët)
Me 27.11.2019
19.00 Koreodrama “Agimi i agimtarëve”
19. 40 Fjala e ministrit në detyrë Kujtim Gashi
19.45 Promovimi i pullave postare të punuara nga Posta e Kosovës enkas për 75 vjetorin e ShKA “Agimi”
20.00 Ndarja e mirënjohjeve.