26-04-2024

Shpërthen Gjeraj: Këtë gjendje e ka sjellë trajneri italian

Klubi nga Rrafshi i Dukagjinit në edicionin e fundit ka kaluar shumë batica dhe zbatica e që si rezultat i tyre ka ardhur në një gjendje të rënduar.

Bardhezinjtë janë buzë greminës, rënies në një kategori më poshtë.

Kur kanë kaluar 29 xhiro në Superligën e Kosovës në futboll, Lirinë vetëm matematika e mban në elitë, pasi që ndodhet e parafundit në tabelë me 21 pikë të mbledhura.

Pyetja e madhe që është shtruar në javët e fundit në qytetin e bukur është se kush e solli Lirinë në këtë gjendje.

Gjeraj e fajëson trajnerin italian

Robert Gjeraj tashmë luan për Besën e Pejës, por ai është njëri ndër lojtarët që ka dhënë shumë kontribut te Liria, skuadra e qytetit të tij.

Mbrojtësit dhe ish-kapitenit të Lirisë i vjen shumë keq për gjendjen në klub. “Këtë gjendje e ka sjellë trajneri italian, bashkë me disa servilë që i ka pasur aty e që nuk e kanë treguar realitetin. Ai nuk e ka ditur as sa ndërrime bëhen në Kosovë. Këtu ka përgjegjësi edhe kryetari me bordin e vet, që ia kanë besuar atij klubin. Transferimet që i ka sjellë ai nuk kanë qenë përforcime, por dobësime. E dinë të gjithë, ka sjellë në ekip këngëtarë. Deshëm ose nuk deshëm, përgjegjësia bie mbi kryetarin, për të cilin kam shumë respekt e i cili i ka kryer të gjitha obligimet financiare”, deklaroi Gjeraj për gazetën Zëri.

“Lojtarët aktualë që janë në ekip mendoj se klubi duhet t’i shpërblejë për faktin se kanë punuar me një trajner ku nuk është ditur se çfarë gjuhe të përdoret. Për fund Liria është mbi të gjitha e qytetit. Shpresoj që sa më shpejt do të kthehet në Superligë”, përfundoi Robert Gjeraj. /Zëri.info

Asnjë koment

Comments are closed.