Shpresa Emra zgjedhet kryetare e Gjykatës Themelore në Prizren
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) në takimin e 286-të, të mbajtur të enjten, ka zgjedhur gjyqtaren Shpresa Emra, kryetare të Gjykatës në Prizren
Emra në këtë pozitë u zgjodh pasi mori votat e gjashtë anëtarëve të Këshillit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mandati i gjyqtares Emra në pozitën e kryetares fillon nga 5 maji 2022 dhe është pesëvjeçar.
Ndryshe, komisioni vlerësues për votim në Këshill ka rekomanduar edhe kandidatët Atdhe Berisha dhe Agron Hoxha, mirëpo ky i fundit mori vetëm dy vota, ndërsa gjyqtari Berisha vetëm një votë.
Kandidat për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren ka qenë edhe ish-Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK-së), Skender Çoçaj i cili ishte tërhequr nga gara për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren, pasi i njëjti nuk ka mori pjesë në procesin e intervistimit të komisionit vlerësues të KGJK-së.
Kandidat për këtë garë ka qenë edhe gjyqtari Shaban Shala, por i njëjti pas shqyrtimit të aplikacioneve nuk është ftuar për intervistë.
Për më shumë se 20 muaj, Gjykata Themelore në Prizren ka qenë duke funksionuar pa kryetar, por vetëm me ushtrues detyre të kryetarit.
Që nga 4 korriku 2020, kjo gjykatë është udhëhequr nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj gjykate, gjykatësi Artan Sejrani.
Me vendimin e KGJK-së të nxjerrë më 23 qershor 2020, Sejrani ishte caktuar ushtrues detyre i kryetarit të kësaj gjykate deri në emërimin e kryetarit nga ana e KGJK-së.
Kjo ngase, ish-kryetari i kësaj gjykate, Ymer Hoxha për shkak të arritjes së moshës së pensionimit, kishte përfunduar mandatin si udhëheqës i kësaj gjykate dhe ishte propozuar tek Presidentja Vjosa Osmani për lirim nga detyra e gjyqtarit, respektivisht kryetarit.
Fillimisht, KGJK më 27 janar 2021 kishte shpallur konkurs për pozitën e të parit të Gjykatës Themelore në Prizren, ku kishin aplikuar dy kandidatë.
Në këtë konkurs, garuan gjykatësi Agron Hoxhaj dhe Artan Sejrani, mirëpo ky i fundit, ditën e intervistimit kishte njoftuar tërheqjen nga gara për arsye personale.
Edhe pse ishte kandidati i vetëm në garën për pozitën e udhëheqësit të kësaj gjykate, gjykatësi Agron Hoxhaj nuk mori besimin e anëtarëve të KGJK-së për t’u emëruar si kryetar i Gjykatës Themelore në Prizren.
Kjo pasi në mbledhjen e 266-të të KGJK-së të mbajtur më 27 shtator 2021, kundër kandidaturës së gjykatësit Hoxha për këtë pozitë, votuan shtatë anëtarë të Këshillit, ndërsa për votuan vetëm dy.
Lidhur me këtë, kryesuesi i KGJK-së Albert Zogaj kishte njoftuar se pas dështimit të procesit të përzgjedhjes së kryetarit në Gjykatën Themelore në Prizren, konkursi në këtë gjykatë do të përsëritet.
Në rrethana të tilla, KGJK në takimin e mbajtur më tetor të 2021-ës, kishte marrë vendim për rishpalljen e konkursit për kryetar të Gjykatës Themelore në Prizren./BetimipërDrejtësi.