Shqipëria ia kthen borxhin e rrymës Kosovës
Duke pasur shumë energji dhe përtej nevojave të konsumit të vet, Korporata Energjetike Shqiptare (KESH), këto ditë po ia kthen borxhin Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK-ut), dhe në këtë mënyrë Kosova po ka thuaja se energji të mjaftueshme për konsumin e vet të shtuar ndjeshëm, dhe nuk ka shumë nevojë për import. Siç ka njoftuar sot Skënder Bucolli për Buletinin Ekonomik, nga KESH-i sot gjatë ditës kanë ardhur diku rreth 1,500 megavatë-orë energji, ndërsa dje (e mërkurë) Kosova është furnizuar gjatë ditës me 1, 700 megavatë-orë energji elektrike nga Shqipëria.
Reshjet e shumta dhe të zgjatura në fund të nëntorit në rajon (në vendin tonë, në shtetet fqinje dhe sidomos në Shqipëri), ishin tejet dobiprurëse dhe përmirësuan ndjeshëm bilancet energjetike të vendeve që kanë më shumë hidrokapacitete elektroenergjetike. Këto reshje kanë ndikuar më së shumti në përmirësimin e gjendjes energjetike në Shqipëri, ku vrullshëm dhe brenda disa ditësh, praktikisht u mbushën akumulimet e ujit në Kaskadën e Drinit, duke ua bërë të mundshme hidrocentraleve të Shqipërisë prodhimin maksimal të rrymës.
Në saje të ujërave të bollshme, sistemi elektroenergjetik shqiptar, qëkur u mbushën me ujë bazenet në kaskadën e Drinit, nisi edhe të eksportojë një sasi të mirë të rrymës, t’i kthejë borxhet e rrymës dhe zuri ta përmirësojë gjendjen financiare, të rënduar nga importet në sasi të mëdha të rrymës për nevojat e veta gjatë kohëve kur nuk kishte ujë të mjëftueshëm. Nga stabilizimi i gjendjes elektroenergjetike në Shqipëri këto ditë, ka përfituar shumë edhe Kosova. Duke pasur shumë energji dhe përtej nevojave të konsumit të vet, Korporata Energjetike Shqiptare (KESH), këto ditë po ia kthen borxhin Korporatës energjetike të Kosovës (KEK-ut), dhe në këtë mënyrë Kosova po ka thuaja se energji të mjaftueshme për konsumin e vet të shtuar ndjeshëm, edhe nuk ka shumë nevojë për import.
Viktor Buzhala, zëdhënës në KEDS, i ka thënë sot Buletinit Ekonomik se gjatë këtyre ditëve, e sidomos në ditët kur pati temperatura goxha të ftohta, në kohën e orëve të pikut, konsumi i Kosovës ka shkuar edhe deri në 1.100 megavat-orë. Ndërsa, gjatë orëve të ditës, tani konsimi sillet nga 900 në 950 megavatë-orë. Kjo sasi e konsumit është përtej sasisë së energjisë elektrike që prodhohet në kapacitetet tona (2 blloqe të termocentraleve Kosova A dhe 2 të Kosovës B dhe nga burimet e rinovueshme).
Siç dihet, nga termocentralet e Kosovës që gjenden në prodhim B1 dhe B2 të Kosovës B (që kanë bashkarisht kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet fuqia e tyre është 520 megavatë, ose secili bllok, pra ka kapacitein në rrjet 260 megavat-orë) dhe nga blloqet A3 dhe A4 të Kosova A (me gjithsej 260 megavatë-orë), prodhohen diku afër 800 megavatë në orë energji elektrike.
Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, këtyre ditëve me të reshura dhe me erë goxha intensive, duhet shtuar plus më së paku rreth 50-60 megavatë nga kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme (hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës). Dhe kjo sasi, siç njofton Buzhala nga KEDS, nuk do të mjaftonte për të përmbushur nevojat e shtuara të konsumit të Kosovës. /IO