03-05-2024

Zhduka e mostrave të Deharit / Ministrja Haxhiu: Besoj se sot do të ketë suspendime

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se i di emrat e personave të cilët kanë qasje në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.

Në një konferencë për media, Haxhiu theksoi se do të marrin masa disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës.

“Më duhet të theksoj se unë i di emrat e personave të cilët kanë qasje në këtë institucion në Departamentin e laboratorit të toksikologjisë, por unë nuk mund t’i them ata, për faktin se tashmë të njëjtit i di edhe Policia edhe Prokuroria. Sa i përket masave, ne na takon që të ndërmarrim masa disiplinore ndaj zyrtarëve përgjegjës”, theksoi ajo.

Ministrja Haxhiu beson se sot do të përfundojë puna me suspendimin e të dyshuarve.

“Unë besoj që sot do të përfundojë puna në suspendimin sepse legjislacioni në fuqi nuk lejon menjëherë shkarkimin, por suspendimin deri në një procedurë përfundimtare. Dhe sigurisht në përputhje me kompetencat e mia do të ndërmarrë edhe unë përgjegjësitë e mia apo do të ndërmarrë masa ndaj atyre të cilët kanë qenë në krye të institucionit, por që sipas njoftimit sot në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dukej që as nuk e kanë pasur mendjen te veprimet e përgjegjësitë e tyre”, shtoi Haxhiu.

Haxhiu njoftoi se mbrëmë ka marrë lajmin se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Ajo tha se ky është një akt i rëndë kriminal dhe se qëllimi i këtij veprimi është shtrembërimi i rastit./IO

Asnjë koment

Comments are closed.