27-04-2024

Ndahet Çmimi letrar “Sulejman Krasniqi”

Në kuadër të shënimit të Ditës së Bibliotekës Komunale “Sulejman Krasniqi”, Zyra e Kryetarit të Komunës dhe DKRS, dje organizuan një manifestim kulturor, në kuadër të të cilit u mbajt edhe tryeza me temë: Roli dhe ndikimi i Sulejman Krasniqit në Lëvizjen ilegale shqiptare.

Bashkëpunëtorët, të njohurit dhe artdashësit lexuan kumtesat e tyre shkencore bazuar mbi jetën dhe veprimtarinë letrare e historike të Sulejman Krasniqit. Me kumtesa u paraqitën; veprimtari Mehmet Hajrizi, Prof. Dr. Ermelinda Kashahu studiuese nga Gjirokastra, Prof.Dr. Sabahajdin Cena, Prof.Dr. Kudusi Lama, Dr. Shyqri Galica kryetari LSSHK, Fitore Rexhep Mala e Albana Sulejman Krasniqi.

Po ashtu, u nda edhe Çmimi letrar “Sulejman Krasniqi” të cilin e ndan Komuna e Rahovecit. Këtë vit me propozim të kryetarit, Kuvendi Komunal ka bërë plotësim-ndryshimin e tij duke i ndarë tre (3) çmime bazuar në konkursin e shpallur javë më parë.

Juria profesionale e konkursit letrar “Sulejman Kraniqi”, publikoi edhe vlerësimet profesionale të krijimeve letrare – artistike. Juria në përbërje: Prof.Dr. Besim Muhadri, Leonita Parallangaj, magjistre e letërsisë dhe Sokol Gashi, profesor i Gjuhës dhe i Letërsisë, shpallën tre fituesit e këtij konkursi.

Vendi i tretë iu nda poezisë “Dilemë” me shifrën “Dora D’Istria”.
Në vendin e dytë u rendit tregimi me titull “Berberi” me shifrën “Artemisa 2022”.
Ndërsa vendi i parë iu nda poezisë me titull “Për tokën time” me shifrën “Dallëndyshja me fole Kosove”.

Asnjë koment

Comments are closed.