16-11-2026

Ndryshime në krye të Policisë, Faton Alija transferohet nga Prizreni

Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, ky ndryshim është pjesë e sistemimeve të reja në strukturat drejtuese të Policisë së Kosovës.

Alija ka udhëhequr deri më tani rajonin e Prizrenit, që përfshin edhe stacionet policore në Suharekë dhe Dragash.

Emërimi i tij në Pejë vjen në një periudhë të ndjeshme për këtë drejtori, pas suspendimit të drejtorit rajonal Agron Hasanaj dhe disa zyrtarëve të tjerë policorë.

Suspendimet ishin ndërmarrë në kuadër të veprimeve hetimore dhe verifikuese lidhur me trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra në Pejë.


Pas suspendimit të Hasanajt, në fund të tetorit, major Mirsad Kelmendi ishte caktuar ushtrues i detyrës së drejtorit rajonal në Pejë.

Ndërkohë, transferimi i Alijës pritet të sjellë ndryshime edhe në drejtimin e Policisë Rajonale në Prizren, ku ai kishte ushtruar detyrën deri më tani.

Policia e Kosovës ka zhvilluar gjatë javëve të fundit një proces sistemimi dhe rotacioni të zyrtarëve në pozita të ndryshme drejtuese.

Ende nuk është bërë publik vendimi i ri i emërimit të Alijës dhe as emri i personit që do ta zëvendësojë në Prizren.

Asnjë koment

Comments are closed.