10-11-2026

Shqyrtohen aplikacionet e 22 kandidatëve për gjyqtarë të Kushtetueses, refuzohet një kandidaturë

Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin e Kandidatëve për Emërim në Gjykatën Kushtetuese, në mbledhjen e mbajtur të martën, ka shqyrtuar dokumentacionin e 22 kandidatëve që kanë aplikuar për dy pozita të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Gjatë mbledhjes, Komisioni konstatoi se 20 kandidatë i plotësojnë kushtet e përcaktuara për aplikim, një kandidaturë u refuzua, ndërsa për një kandidate u vendos që t’i jepet afat shtesë për plotësimin e dokumentacionit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kryesuesi i Komisionit, Vigan Qorrolli, bëri të ditur se gjatë periudhës së aplikimit, nga 14 tetori deri më 2 nëntor 2026, kanë aplikuar gjithsej 22 kandidatë, prej të cilëve 13 burra dhe nëntë gra.

Ai sqaroi se qëllimi i mbledhjes ishte verifikimi i përmbushjes së kushteve ligjore nga kandidatët, duke theksuar se Komisioni duhet të deklarohet veçmas për secilin prej tyre.

Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, Komisioni refuzoi me gjashtë vota kandidaturën e Altin Nikajt, pasi konstatoi se, bazuar në dokumentacionin e dorëzuar, ai nuk e plotëson kushtin e përvojës së kërkuar të punës.

Ndërkaq, sa i përket kandidates Shyhrete Shalaku-Grajqevci, Komisioni konstatoi se dokumentacioni i saj nuk ishte i plotë, përkatësisht mungonte vërtetimi për përvojën e punës nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Pas diskutimeve, Komisioni vendosi që kandidates t’i jepet afat deri të enjten, më 12 nëntor 2026, për dorëzimin e dokumentacionit shtesë. Në rast se kandidatja dorëzon dëshmitë e kërkuara dhe vërtetohet përmbushja e kushteve, ajo do të ftohet në fazën e testimit.

Në vijim të mbledhjes, anëtarët e Komisionit diskutuan edhe për metodologjinë e vlerësimit të kandidatëve, përkatësisht nëse procesi duhet të zhvillohet vetëm përmes intervistimit me gojë apo të përfshijë edhe testimin me shkrim.

Gjatë diskutimit, u theksua rëndësia e vlerësimit të aftësive profesionale të kandidatëve, përfshirë aftësinë e argumentimit juridik me shkrim, duke marrë parasysh natyrën e punës së Gjykatës Kushtetuese.

Pas diskutimeve, Komisioni vendosi me konsensus që vlerësimi i kandidatëve të zhvillohet përmes testimit me shkrim dhe intervistimit me gojë.

Për hartimin e pyetjeve të testimit me shkrim, Komisioni caktoi Vigan Qorrollin, Rrustem Thaçin dhe Naim Qelajn, ndërsa vlerësimi i kandidatëve do të bëhet nga anëtarët e Komisionit. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.