26-04-2024

Shqyrtohet vendimi i Gjykatës për pezullimin e konkursit për mësimdhënës në Prizren

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se organet komunale do ta shqyrtojnë vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit për pezullimin e konkursit të fundit për mësimdhënës dhe se do të veprojnë sipas ligjit. Ai ka pranuar se zhvillimet rreth konkursit për mësimdhënës kanë bërë që nxënësit të kenë humbje të orëve dhe ka shtuar se një gjë e tillë nuk mund të tolerohet edhe për një gjysmëvjetor, shkruan sot Koha Ditore.

Haskuka ka pohuar se ditë më parë mediat kanë raportuar rreth vendimit të Gjykatës Themelore, por se DKA-ja e ka pranuar vendimin të enjten vonë dhe se ai nuk ka njohuri se çfarë përmban saktësisht vendimi. “Përfaqësuesit ligjorë do të shikojnë këtë çështje, pastaj do të veprojmë sipas dispozitave ligjore”, ka thënë Haskuka të premten në një prononcim për mediat lokale.

Ai ka shtuar se në shumë raste po ndodh që mediat i marrin vendimet e Prokurorisë ose gjykatave, para se ato të vijnë në Komunë. “Dje vonë ka ardhur në DKA, s’kam pasur kohë me u taku. Drejtoria do ta shikojë çështjen dhe do të veprojmë sipas ligjit”, ka deklaruar Haskuka.

Ai ka shprehur qëndrimin se zhvillimet në raport me këtë konkurs kanë qenë të ndërlikuara.

“Kjo çështje është shumë problematike, ngase në atë kohë edhe shkarkimi i drejtorit të Arsimit ka qenë pikërisht për shkak të problemeve që kanë qenë në konkurs ose mosrespektimit të ligjit, ku kërkohet që drejtorët e shkollave të jenë prezentë në konkurse. Pasi që kjo nuk është rregulluar është dashur të anulohet ky konkurs. Pastaj ne kemi pritur që të hyjë në fuqi Ligji për zyrtarët publikë, që ka qenë në shtator të këtij viti, se nuk kemi dashur që të fillojmë me një ligj të vjetër, i cili shfuqizohej. Patëm ligjin e ri, pastaj erdhi vendimi i Gjykatës Kushtetuese pas kërkesës së Avokatit të Popullit, me të cilin u pezullua Ligji për zyrtarët publikë. Pastaj ne pritëm rekomandimin nga Ministria, pasi që i morëm rekomandimet konkursi vazhdoi… Tani kemi këtë situatë të re”, ka thënë Haskuka.

Asnjë koment

Comments are closed.