03-12-2024

Shtatore për Komandant “Drinin”-Çlirimtarin e Prizrenit

Përvjetorin e ardhshëm, Prizreni duhet ta ketë shtatoren e munguar të komandant  “Drinit”.

Ai ishte oficer i karrierës,  komandant i UÇK-së, drejtues i Shkollës Ushtarake dhe Doktrinës së UÇK-së, ishte intelektual i vërtetë, magjisër i shkencave, kandidat për doktoratë në Universitetin e Kanadasë, njohës i shtatë gjuhëve botërore. Qytetarët e quajtën çlirimtar i Prizrenit.

Drejtori për Administratë, Osman Hajdari, tha se nuk do të kursehet për ngritjen e shtatores së Komandant  Drinit, por që aktualisht nuk ka të përcaktuar ndonjë lokacion se ku do të vendoset ajo. “Po mendojmë të realizohet një projekt i mirë, ndërsa nëse nevojitet do të lejojmë më shumë mjete, se ato të planifikuarat”, tha ai për portalin “Gazeta e Prizrenit.net”.

Sipas Hajdarit, në bashkëpunim edhe me shoqata e dala nga lufta në Prizren, dhe me ato të shoqërisë civile, do të analizohet lokacioni për të vendosur shtatoren, që duhet ta ketë edhe një hapësirë përreth saj.

Isa Berisha, nga Shoqata e Veteranëve në Prizren, fillimisht shpreh habinë për heshtjen e deritashme, pasi që mjetet kishin qenë të planifikuara, derisa pranon se janë në biseda, me komunën për ta përcaktuar lokacionin e vendosjes së shtatores, por ende nuk ka diçka definitive.  “Do të shikohen disa propozime për lokacionin, ndërsa njëri sosh është propozuar lagja Bazhdarhane”, ka thënë ai raporton “Gazeta e Prizrenit.net” .

Aktivisti i shoqërisë civile, Bashkim Gashi konkretisht propozon që shtatorja  për  “Drinin” , të bëhet në afërsi të Monumentit të NATO-së, në lagjen Bazhdarhane, ndërsa për këtë përmend disa arsye.  “Komandant Drini kishte bashkëpunim të shkëlqyer me pjesëtarët e NATO-s, si në luftë ashtu edhe pas saj. Kjo do të simbolizonte orientimin e tij, për anëtarësimin e ushtrisë së Kosovës në NATO, si dhe shtëpia dhe vendi i vrasjes së komandantit janë në lagjen ku edhe ndodhet monumenti”, tha ai.

Ngritjes së shtatores së Komandant “Drinit” gjithashtu po i japin mbështetje në faqen e ‘facebookut’ , që mban emrin e tij,  edhe rreth 12 mijë anëtarë.

Në këtë kontekst të hapet konkursi për shtatoren e komandant ‘Drinit”. Përzgjedhja e projektit të bëhet nga një komision gjithëpërfshirës profesional, në mënyrë që apo të ketë nivelin e një vepre artistike të realizuar mirëfilli.

Besojmë se përvjetori i ardhshëm, në maj të 2019,  do ta gjej Prizrenin me shtatoren e djalit të tij, që në mënyrë të lavdishme ishte pjesë e luftës, komandant “Drinit”./gazetaeprizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.