Prej katër vjetësh, Prizreni ka rregulluar rrugën e re transitore që lidh magjistralen për në Prishtinë dhe Gjakovë, nga hyrja e lagjes “Dardania” për në “Arbanë”, por përkundër investimit, segmenti me katër korsi, që vlerësohet kyç për shkarkimin e trafikut në qytet, ka mbetur jofunksional, shkaku i bllokimit nga një shtëpi banimi në pjesën tek hyrje-dalja e Arbanës.
Derisa rruga mbetet e bllokuar, shoferët që janë transit në Prizren detyrohen të kalojnë në transitin e vjetër, duke përshkuar një distancë shumë më të largët ose të futen nëpër qytet. Kjo ngarkon edhe më shumë trafikun.
Kjo shtëpi, rasti i të cilës tashmë është në Gjykatën Themelore në Prizren, ka sfiduar qeverisjet komunale, si atë të Ramadan Mujës edhe këtë të tashmen të Mytaher Haskukës, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Bllokimi i transitit të ri ka qenë ndër çështjet të cilën e kishte përdorur Vetëvendosje sa ishte në opozitë, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 2017-ës, për të kritikuar PDK-në që mbante pushtetin, por që përkundër ndërtimit të rrugës, e kishte lënë jashtë përdorimit.
Zhbllokimi i transitit të ri, ka qenë ndër temat e shpeshta të ngritura në Kuvendin Komunal (KK) të Prizrenit, vitin e kaluar.
Për këtë edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka pat premtuar zgjidhjen e çështjes së shtëpisë, që ka bllokuar transitin.
Gjatë mbledhjes së KK-së me 28 mars 2019, ai tha se për këtë çështje ka biseduar edhe me disa asamblistë, që nëse nuk ndërmerr diçka gjykata, atëherë të veprojë Kuvendi Komunal, për ta sjellë një vendim rreth kompensimit të saj.
“Gjithsesi besoj që sivjet kjo rrugë do të hapet”, pat thënë atëherë Haskuka, por deri tash, jo vetëm që nuk ka ndryshuar asgjë, por as që ka ndonjë lëvizje të dukshme në këtë drejtim. /GazetaePrizrenit.net /