12-07-2024

Shteti ndalon punimet pas rrafshimit të tri monumenteve në Prizren

Me largim buldozerësh, shirita e tabelë është “aktivizuar” shteti në “Sarajin e Vjetër në Prizren”, brenda të cilit kompleks i janë rrafshuar tri monumente nën mbrojtje të përhershme. “Kam gjetur të nevojshme t’ju autorizoj dhe të kërkoj nga ju që të mblidhni të dhëna shtesë për veprën penale e cila i vihet në barrë të dyshuarit të lartcekur, me qëllim të zbardhjes së çështjes penale”, shkruhet në Autorizim nga Prokuroria e Shtetit për Policinë e Kosovës
Shteti është aktivizuar në kapacitete të plota tek pas rrënimit të tërësishëm të tri ndërtesave pjesë e kompleksit monumental “Saraji i Vjetër-Prizren”. Shiritat i janë vendosur kompleksit të ish-fabrikës së barnave “Farmakos” dhe nëpërmjet një tabele bëhet e ditur se “Ndalohen punimet”. Është tabelë e vendosur nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore të shoqëruar nga Policia e Kosovës. Por, Policia e ka marrë parasysh urdhëresën e Inspektoratit, pasi ka marrë Autorizim nga Prokuroria e Shtetit.

Në fillim të këtij muaji për herë të parë në Kosovë, janë rrënuar monumente që janë në Listën e përhershme të trashëgimisë kulturore. Janë tri ndërtesa të rrafshuara nga investitori privat, duke shfrytëzuar një leje ndërtimi të Komunës së Prizrenit: ish-fabrika e barnave, ajo që njihej si Burgu i Vjetër dhe një shtëpi e fundit të viteve ’20. Këto bashkë me Internatin dhe Postën e Vjetër, që gjenden në anën tjetër, kanë formuar kompleksin monumental “Saraji i Vjetër – Prizren”.

Prokurori i shtetit, Shpend Binaj, ka lëshuar “Autorizim për vendosjen e masës së sigurisë”. Këtë ia ka drejtuar Stacionit Policor “Alfa” në Prizren. Në këtë rast, prokurori është bazuar në kërkesën e MKRS-së të datës 5 qershor për caktimin e masës së sigurisë, pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore kishte vërejtur se nuk ishte respektuar vendimi i tyre i datës 30 maj për ndalimin e punimeve.

“Kam gjetur të nevojshme t’ju autorizoj dhe të kërkoj nga ju që të mblidhni të dhëna shtesë për veprën penale e cila i vihet në barrë të dyshuarit të lartcekur, me qëllim të zbardhjes së çështjes penale”, shkruhet në Autorizim. I dyshuari në këtë rast është Avzilatif Xhemali. Në ditën e katërt të këtij muaji, kur ekipi i KOHËS ka qenë në vendngjarje, investitorët nuk janë prononcuar.

KOHA ka marrë vesh se hetuesit janë vënë në kërkim të shkresave dhe dëshmive që vërtetojnë se ndërmarrësi ka kryer vepër penale duke shkatërruar asetet e trashëgimisë kulturore. Janë duke u intervistuar edhe zyrtarë të trashëgimisë kulturore.

Pos kësaj, prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë që “së bashku me inspektorët e MKRS-së në Prishtinë, të dilet në vendin e ngjarjes dhe të vendosen shiritat dhe shenjat zyrtare në kompleksin e ‘Sarajit të Vjetër në Prizren’ aset i trashëgimisë kulturore nën mbrojte të përhershme”.
Inspektorati këtë veprim e kishte ndërmarrë edhe më herët por nuk ishte ndihmuar nga Policia e Kosovës, sipas vetë zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës. Tash kompleksi është i rrethuar me shirita, po ashtu edhe me tabelën që ndalen punimet. Heqja e tyre apo zhvillimi i aktiviteteve të tjera do të përbënte shkelje të re. Ajo pjesë po ashtu është edhe zonë e dytë e mbrojtur edhe me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.

Ministri Çeku, i cili në mars të këtij viti kishte nënshkruar vendimin që “Kompleksi Saraji i Vjetër – Prizren” të gëzojë mbrojtje të përhershme, nuk është deklaruar publikisht për këtë rast deri më 5 qershor kur gjithçka ishte rrafshuar.

Në ditën e 5-të të këtij muaji pas hapjes së edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit, i pyetur nga KOHA për rrafshimin e monumentit, ministri Çeku ka thënë se rasti nuk mund të cilësohet ndryshe pos si krim.

“Fillimisht duhet t’ia japim emrin që e ka. Është krim. Është krim shumë i madh. Është rrënim i një aseti nën mbrojtje të përhershme të ligjit. Është veprim i ndërmarrë me vetëdije të plotë të institucionit të Komunës, sepse ajo çfarë kanë lëshuar ata është leje për rrënim, për një monument nën mbrojtje të përhershme”, kishte thënë ai.

Sipas ministrit Çeku, Komuna paraprakisht ka qenë në dijeni se ai monument është i mbrojtur dhe për këtë arsye ka kërkuar pëlqim nga autoritet e trashëgimisë kulturore. Kishte thënë se pas këtij veprimi kanë proceduar me lëshim të lejes për një subjekt privat për të vazhduar me një projekt krejtësisht në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

“Inspektorati ka qenë veprimi i parë që e kemi ndërmarrë në momentin që ka filluar kjo çështje dhe jemi njoftuar se po ndodh ky rrënim. Inspektorati ka ndërmarrë të gjitha veprimet, ka lëshuar urdhëresa për ndalim të punimeve dhe ka njoftuar Policinë e Prokurorinë dhe të tjerët”, kishte thënë ai.

Për këtë rrënim investitori Avzilatif Xhemali, pronar i biznesit individual me emër tregtar “Rimed”, ka shfrytëzuar vendimin për leje ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Prizrenit më datë 4 prill 2024. I njëjti në fund të vitit të kaluar kishte kërkuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve pëlqim për zhvillimin e parcelave që gjenden në zonën e dytë të mbrojtur në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit. IKMM-ja nuk kishte dhënë pëlqim.

Drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit hapësinor në Komunën e Prizrenit, Pranverim Berisha, ka nënshkruar lejen që i jep të drejtë investitorit të ndërtojë “objekt kolektiv – me shumë funksione”. Sipas vendimit të cilin e posedon KOHA, leja ndërtimore lejon dy kate bodrum, përdhesen, plus tri kate të tjera.

Ministri Çeku kishte thënë se janë në konsultime me avokaturën e shtetit dhe ka detaje që nuk mund t’i bëjë publike.

“Ka qenë situatë pak më e ndërlikuar sesa veç me një palë. Janë disa detaje që nuk mund t’i zbuloj tani, por besoj që në një procedurë të ardhshme gjyqësore mund të ngrihen edhe disa shqetësime për mosveprim institucional. Beteja jonë ka qenë që së pari të ndalen ekskavatorët që kanë qenë duke e rrënuar monumentin. Por, fatkeqësisht, puna ka vazhduar”, kishte thënë Çeku. E kishte përmendur edhe masën e përkohshme. Ministria e Kulturës e as vetë ministri Çeku të martën nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHË-s.

Tek pas rrënimit kishte reaguar Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore. E kishte dënuar si rast dhe kishte kërkuar që të merren masa.

Historia e nismës për rrënimin e kompleksit është e vjetër. Zë fill në vitin 2019, kur ndërtesat gëzonin veç mbrojtje të përkohshme, që, sa i përket ndërhyrjes, sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, procedurat për investim dhe sanksionet ndaj veprimeve të paautorizuara janë të njëjta.

Asokohe Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve kishte dhënë pëlqimin. Por, MKRS-ja si shkallë e dytë kishte menduar ndryshe.

Në nëntor të atij viti, institucioni më i lartë kulturor në vend kishte shfuqizuar vendimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, që i hapte rrugë ndërtimit të objektit në zonën e mbrojtur përreth aseteve të trashëgimisë kulturore, që janë Posta e Parë e Qytetit dhe Kazerma e Vjetër, që njihet ndryshe edhe si Internati. Për këtë kishte vendosur Komisioni për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në procedurën e dhënies së lejeve dhe pëlqimeve në trashëgiminë kulturore arkitekturore.

“Shfuqizohet vendimi nr. 67/2019 i datës 14.10.2019, i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve”, shkruhet në pikën e 3-të të vendimit të Komisionit që kryesohej nga Vjollca Aliu, asokohe drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës.
Krejt çfarë mund të bënte investitori asokohe ishte ankesa në afat prej 30 ditësh në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Burime të afërta me investitorin i kanë thënë KOHËS se ai bazohet në një vendim të gjykatës që gjoja i jep të drejtë për ndërtim. Por, prej asaj kohe ka ndërruar gjendja e monumentit. Nga Lista e përkohshme ka kaluar në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përhershme. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore, cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent. Në këtë rast institucioni kompetent është Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

“Cilido person fizik apo juridik që dëmton trashëgiminë kulturore, pavarësisht nga marrëdhëniet e tyre pronësore me të, dënohet ose sanksionohet nё bazë të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës, Ligjit për kundërvajtje dhe në pajtim me nenin 11 të këtij ligji”, përcaktohet në pikën 4.11 të Ligjit. Kurse në nenin 11 përmenden edhe gjobat. Bazuar në nenin 354 të Kodit penal shkatërrimi i monumentit të mbrojtur dënohet me gjobë ose deri në tre vjet burg. Kurse bazuar në Ligjin për trashëgimi kulturore, gjoba shkon deri në 500 mijë euro./koha/

Asnjë koment

Comments are closed.