Shtyhet gjykimi ndaj drejtorit të shkollës që akuzohet se kërkoi të përfitonte nga mbrëmja e maturës
Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarit për marrje të ryshfetit, Izet Hoti.
Seanca e cila ishte paraparë të mbahej të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, u shty në mungesë të avokatit Emrush Kastrati, mbrojtës i të akuzuarit Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjyqtari i rastit Shaqir Zika, bëri t ditur se avokati Kastrati, përmes një parashtrese, ka kërkuar që seanca në fjalë të shtyhet për 2 ose 3 ditë, pasi që i njëjti është i zënë me seanca tjera në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prezent në gjykatë ishte edhe prokurori Ali Uka.
Seanca e radhës u caktua për 19 tetor, në ora 9:00.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 shtator të këtij viti, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Izet Hoti, me 2 maj 2018, si drejtor i shkollës së mesme të lartë “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka kërkuar ryshfet në shumë prej 1.500 euro nga menaxheri i restorant “BIMI-2”, Gëzim Kastrati, për organizimin e mbrëmjes së maturës në po këtë restorant.
Në aktakuzë thuhet se oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, mirëpo i pandehuri ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë shumën në 13 euro, ashtu që shumën e mbetur ta merr për vete, e që një gjë e tillë është provuar në bazë të dëgjimeve telefonike të kryera nga ana e policisë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. //Betimipërdrejtësi