Sot, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor kundër Florim Kallabës, i akuzuar për tentim vrasje, kanosje dhe armbajtje pa leje.
Shkak për mos mbajtjen e seancës ishte mungesa e të akuzuarit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Xheladin Osmani bëri të ditur se mungesa e të akuzuarit është arsyetuar nga familjarët e tij, të cilët u kanë thënë policëve, që kanë pasur për detyrë ta sjellin të akuzuarin nga arresti shtëpiak në sallën e gjykatës, se duhet të konsultohen me institutin shëndetësor të spitalit rajonal në Prizren, sepse i akuzuari ka simptoma të koronavirusit.
Në këto rrethana, gjykatësi Osmani e caktoi seancën e radhës për 7 shtator 2020, në ora 10:00.
Ndryshe, thuhet se i akuzuari Kallaba ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, me prokurorin Metush Biraj.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të 28 majit 2020, Florim Kallaba akuzohet se me 21 gusht 2018, në oborrin e shtëpisë së tij, pas një mosmarrëveshje me fqiun e tij, Petrit Krasniqi, i cili kishte vendosur skelet në oborrin e shtëpisë së tij pa e pyetur, e kërcnon me pistoletë deri sa ai ishte në skele.
Në aktin akuzues thuhet se në atë moment ndërhyn vëllai i Petritit, i dëmtuari Ajet Krasniqi, duke ja kapur dorën ku e kishte pistoletën, ku gjatë përleshjes i akuzuari shkrep njëherë dhe e godet në nofullën e poshtme të djathtë, duke shkaktuar thyrje të dhëmbëve.
Me këto veprime, Kallaba akuzohet se ka kryer veprën penale të tentim vrasjes.
Sipas pikës së dytë të aktakuzës, Florim Kallaba akuzohet se në vend dhe në kohë të njëjtë, me përdorim të armës i kanoset personit tjetër, me vepra, armë apo gjeste, për çka dyshohet se ka kryer veprën penale të kanosjes.
Ndërsa në pikën tre të aktakuzës, ai akuzohet se në vend dhe kohë të njëjtë ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës. /BetimipërDrejtësi