16-04-2024

Shtyhet gjykimi në rastin ku Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti” po kërkon anulimin e vendimit të Inspektoratit të Punës

Sot, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor në rastin ku paditësi – Universiteti i Prizrenit po kërkon anulimin e vendimit të Inspektoratit të Punës.

Përfaqësuesja e paditësit Blerta Hajra – Kabashi ka kërkuar nga gjykata që seanca e sotme të shtyhet për një kohë më të gjatë për shkak të mos posedimit të shkresave të lëndës, raporton Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjykatësi i rastit Kreshnik Kaçiu i ka dorëzuar përfaqësueses së paditësit të gjitha shkresat e lëndës.

Ndryshe, në këtë seancë nuk ka prezantuar pala e paditur, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përkatësisht Inspektorati i Punës për të cilën gjykata kishte dëshmi se është ftuar në mënyrë të rregullt.

Seanca e radhës është caktuar me 12 korrik 2021, në ora 11:00.

Sipas padisë së ushtruar më 13 prill 2018, paditësi Universiteti i Prizrenit po kërkon anulimin e vendimit të Inspektoratit të Punës, pasi që Senati i Universitetit të Prizrenit kishte zbatuar në tërësi konkursin Nr.01-206/A, dhe se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe përgatitjes shkencore të kandidatit Naim Berisha, të njëjtit ia kishte ndarë lëndët “Dialektologji dhe hyrje në gjuhësi”.

Ndaj këtij vendimi të Senatit, në Inspektoratin e Punës kishte parashtruar ankesë kandidati Naim Berisha, ku e paditura ia kishte aprovuar ankesën si të bazuar.

Në këtë vendim thuhet se duke u bazuar në shkresat e lëndës të ofruara nga parashtruesi i ankesës kandidati Naim Berisha kishte aplikuar për asistent në lëndët “Morfologji I dhe Sintaksë I” si dhe asistentë për “Gjuhë Shqipe I” ndërsa i njëjti nuk ishte futur në vlerësim fare dhe vetëm ishte propozuar për lëndët “Dialektologji dhe hyrje në gjuhësi”, edhe pse lëndët “Morfologji I dhe Sintaksë I” i kishte mbajtur më herët.

Gjithnjë sipas vendimit, punëdhënësi i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” është obliguar  që të bëjë vlerësimin e serishëm të kandidatëve konkurrues.

Asnjë koment

Comments are closed.