24-11-2024

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-inspektorit në Prizren

Për shkak se ka munguar gjykatësja Teuta Krusha, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku ish-inspektori i ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu, akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lidhur me mungesën anëtares së trupit gjykues Krusha, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi ka thënë se e njëjta nuk mund të jetë prezent në seancë për arsye shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, seanca u shty për 22 nëntor 2021, në ora 09:00.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 25 shtator 2019, i pandehuri Nexhmedin Musliu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ai akuzohet se prej 21 nëntorit 2016 e në vazhdim, në Prizren, si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari nuk e inspekton dhe nuk ndërmerr veprime kundër mbindërtimit pa leje të bërë nga investitori Mehmet Palushi, i cili duke ndërtuar objektin e tij ka tejkaluar lejen për një etazhitet, leje kjo e lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Komunën e Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Musliu duke mos ndërmarr veprime i ka mundësuar Mehmet Palushit ndërtimin edhe të një kati dhe mospagesën e taksave komunale, ndërsa Kuvendit Komunal i ka shkaktuar dëm në vlerën e taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit “Qylhan”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, për të cilën vepër penale parashihet dënim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në ketë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.