22-11-2024

Shtyhet gjykimi për rastin ku BKS-ja po kërkon rimbursimin e dëmit në vlerë mbi 2 mijë euro

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimit për rastin ku Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) po kërkon nga i padituri Liridon Bajraktari rimbursimin e dëmit, në shumën prej 2,335 euro.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e të paditurit Bajraktari, për të cilin gjykatësi Shaban Zeqiri ka konstatuar se sipas fletë kthesës së Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK) i padituri nuk gjendet në shtëpi, duke shtuar se nëna e të njëjtit nuk e ka pranuar ftesën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E autorizuara e paditëses, Olumbie Haliti, i ka propozuar gjykatës që ftesa për të paditurin t’i dërgohet përsëri me vërejtje, ashtu që t’i lihet njoftimi që në kohën dhe datën e caktuar të gjendet në shtëpi për të marrë të njëjtën.

Kjo pasi sipas saj, i padituri vetëm se po e zvarrit procedurën me qëllim që të mos përgjigjet për dëmin e shkaktuar në aksidentin e 8 majit 2012.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykatësi Zeqiri seancën e ka shtyrë për 18 shtator 2020, në ora 10:00.

Ndryshe, me 8 maj të këtij viti, ky rast është kthyer në rivendosje nga Gjykata e Apelit.

Sipas padisë së ushtruar më 9 nëntor 2015, i padituri Liridon Bajraktari, më 8 maj 2012, ka shkaktuar aksident trafiku në Suharekë, me automjetin e tij “Renault”, duke e goditur veturën “Fiat Ducato”, pronë e të dëmtuarit Haxhi Bugari.

Në padi thuhet se i padituri në momentin e aksidentit ka qenë i pa siguruar, konkretisht i kishte skaduar afati i sigurimit.

Siç thuhet në padi, e paditura në bazë të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm nga Auto përgjegjësia e Republikës së Kosovës, ia kompenson dëmin të dëmtuarve të pësuar nga aksidenti, përkatësisht shumën prej 2,335  euro.

Me këtë padi, BKS-ja kërkon nga gjykata që ta detyroj të paditurin Bajraktari, që asaj t’ia paguajë në emër të rimbursimit të dëmit shumën prej 2,335 euro dhe atë me kamatë ligjore, nga dita e ngritjes së padisë e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet gjyqësore. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.