24-11-2024

Shtyhet gjykimi për vjedhjen e një shishe alkooli në Malishevë

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar, i paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, ndaj të akuzuarit për vjedhje, Armend Gashi.

Shkak për dështimin e seancës ka qenë mungesa e të akuzuarit Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i rastit, Lulzim Paçarizi, tha se në fletëkthesën që i është kthyer gjykatës shkruan se i akuzuari nuk është në këtë adresë, andaj ai ka thënë se ndaj të pandehurit, do të lëshohet urdhëresë për sjellje të detyrueshme.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 10 tetor 2019, nga ora 09:45.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 mars 2018 nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Armend Gashi akuzohet se më 9 nëntor 2017, në qendrën tregtare “Kastrati” në Malishevë, në mënyrë të kundërligjshme merr pasurinë e të dëmtuarit Hajrë Kastrati.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari duke shfrytëzuar situatën e përshtatshme në vendin ku qëndrojnë pijet alkoolike, merr një shishe alkooli, të llojit “Jack Daniels” një litër, dhe del nga qendra tregtare pa e bërë pagesën, dhe të dëmtuarit i shkakton dëm në vlerë të përgjithshme prej 28.95 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje”, nga neni 325, paragraf 2, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.