14-12-2024

Shtyhet gjykimi për vrasjen në Tusuz, i akuzuari me probleme shëndetësore

Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren me kërkesën e avokatit mbrojtës të të akuzuarit Haxhi Selmanaj, Esat Gutaj, është shtyrë seanca e ditës së premte, për arsye se i akuzuari deklaroi se nuk ishte në gjendje që të japë mbrojtjen.

I akuzuari Selmanaj kërkoi shtyrjen e seancës nga gjykata.

Pas kësaj kërkese, kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha, ka miratuar kërkesën e avokatit Gutaj për shtyrjen e seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gutaj propozoi që dr. Imet Poniku, që ndodhet pranë Qendrës së Paraburgimit, të sjellë dosjen mjekësore të Selmanajt dhe të japë një vlerësim për gjendjen e tij.

I dëmtuari Ferit Kryeziu ka kundërshtuar shtyrjen e seancës, duke thënë se djalin 19-vjeçar e ka të ‘shtimë në tokë’.

“Edhe o e shtyni a? Jashtë sistemit tokësor m’keni qit”, ka deklaruar i dëmtuari.

Ndërkohë gjyqtarja Teuta Krusha reagoi duke ia tërhequr vërejtejn palës.

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues më 26 maj 2021 duke e dënuar të akuzuarin Selmanaj me 20 vite burgim dhe 500 euro gjobë, mirëpo me vendimin e  Gjykatës së Apelit çështja është kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 15 korrik 2020, Haxhi Selmanaj akuzohet se më 26 janar 2020, në rrugën “Xhevat Berisha” në Prizren, ka privuar nga jeta tani të ndjerin E.K, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, fillimisht ka ardhur deri te konflikti fizik në mes të akuzuarit dhe dëshmitarit Z.K, vëllai i të ndjerit.

Në aktakuzë thuhet se tani i ndjeri ka qenë në market dhe kishte vërejtur se vëllai i tij ishte përfshirë në një konflikt me të akuzuarin, ku kishte dalë dhe ishte nisur në drejtim të të akuzuarit dhe në një moment i akuzuari e kishte nxjerrë thikën të cilën e ka pasur me vete dhe e kishte goditur tani të ndjerin në pjesën anësore të gjoksit, në afërsi të zemrës dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar vdekjen viktimës E.K.

Me këto veprime, Haxhi Selmanaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje”.

Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se me date, kohë dhe vend të njëjtë, pa leje valide nga organi i autorizuar shtetëror, mban në pronësi, kontroll ose posedim armën e ftohtë, në kundërshtim me ligjin për armët dhe atë një brisk hapës me dorezë “ngjyrë ushtarake”, i cili është sekuestruar nga ana e policisë.

Me këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë̈ artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.