22-11-2024

Shtyhet rigjykimi ndaj ish-drejtorit Çoçaj dhe të tjerëve

Fillimi i rigjykimit ndaj ish-drejtorit të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçajt dhe të akuzuarve Bekim Thaqi e Bedri Çeku, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ishte paraparë të mbahej të enjten, por është shtyrë në mungesë të të akuzuarit Çeku.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka konstatuar mos prezencën e të akuzuarit Bedri Çeku, për të cilin ka thënë se gjykata nuk posedon prova se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, duke shtuar se në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimi nuk do të mbahet.

Seanca e radhës, në këtë çështje penale, është caktuar të mbahet më 3 korrik 2018, duke filluar nga ora 13:15.

Në dhjetor të vitit 2014, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhat Çoçajt, Bekim Thaqit dhe Bedri Çekut, të cilët i akuzon se duke qenë drejtorë të manifestimit kulturor “Remzi Ademaj”, kanë keqpërdorur mjetet e ndara për këtë manifestim.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me qëllim të përfitimit për vete apo tjetrin, secili në vitin përkatës brenda periudhës 2008-2012, kanë përdorur mjetet e derdhura në xhirollogarinë personale të secilit, për të blerë gjera, me të cilat veprime i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Nexhat Çoçaj, po ashtu akuzohet se duke qenë kryetar i këshillit organizativ, ka bërë furnizime nga firma “Bogdani’ pronar i së cilës është vet ai dhe ka tërhequr para nga xhirollogaria e tij, pa iu ditur destinacioni, duke e tejkaluar buxhetin e lejuar në shumën prej mbi 4000 eurove, pa vendim përkatës të komunës.

Për këto akuza, në qershor 2016, Çoçaj është dënuar me tre vite burgim efektiv, Thaqi është dënuar me një vit e dy muaj burgim efektiv, ndërsa Çeku është dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv.

Mirëpo, më 27 shtator 2016, Apeli, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve dhe ka kthyer lëndën në shkallën e parë për ri-vendosje. Sipas Apelit, për tejkalimet e buxhetit duhet të sqarohet nëse janë përgjegjës të akuzuarit në fjalë apo zyrtarët komunalë që i kanë lëshuar mjetet.

Apeli gjithashtu ka kërkuar që të përcaktohet se sa është tejkalimi i buxhetit, a është shkaktuar dëm, kujt i është shkaktuar dhe kush është përgjegjës, sepse nëse mjetet shtesë janë lejuar atëherë përgjegjësia është te zyrtarët komunal.

Në aktvendimin e Apelit, tutje thuhet se i akuzuari Nexhat Çoçaj, ka prezantuar një ekspertizë financiare, e cila i kundërshton gjetjet e ekspertizës së organit të akuzës, andaj duhet që të bëhet një super-ekspertizë që të sqarohen kundërthëniet.

Trupit gjykues, duke u bazuar në rekomandimet e Apelit, në shkurt të vitit 2017, ka marrë vendim që në këtë lëndë të bëhet super-ekspertiza financiare dhe lënda është dërguar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Prishtinës.

Fakulteti në fjalë, e ka mbajtur lëndën gjyqësore për më shumë se shtatë muaj dhe nuk e ka kryer ekspertizën e kërkuar nga gjykata, andaj gjykata në fund të nëntorit 2017, ka marrë vendim që ekspertizën në fjalë ta kryejnë tre ekspertë privatë nga lista e ekspertëve të gjykatës./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.