Shtyhet seanca ndaj ish-zyrtarëve të bankës BPB, e akuzuara në Izrael
Kjo për shkak të mungesës së të akuzuarës Teuta Demiri.
Edhe pse nga seanca e kaluar ka qenë e njoftuar për datat e shqyrtimit gjyqësor, ajo nuk është paraqitur sot në Gjykatë.
Për këtë arsye, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka paralajmëruar mbrojtësin e saj, avokatin Hajrip Krasniqi, se në rast të mungesës në seancat e ardhshme do të lëshojë fletë-arrest ndërkombëtar, meqenëse e akuzuara po i shmanget mbarëvajtjes së procedurës.
Trupi gjykues i përbërë edhe nga gjyqtarët Xheladin Osmani dhe Luan Berisha kishin caktuar 3 ditë me radhë seancat për këtë rast, duke marrë parasysh veprën penale dhe palët e dëmtuara që kërkojnë zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj çështjeje.
Mbrojtësi i të akuzuarës Teuta Demiri, avokati Hajrip Krasniqi, në fillim të shqyrtimit deklaroi se e mbrojtura e tij gjendet jashtë vendit, saktësisht në Tel Aviv, në Izrael, se atje gjendet me punë dhe se në rast të ardhjes në Kosovë atje do t’i ndërpritej marrëdhënia e punës. Mirëpo, ai premtoi që në seancat e ardhshme do të bëjnë të pamundurën për prezencën e saj në shqyrtim.
Seancat e radhës janë caktuar më 26 dhjetor 2018 dhe 3 janar të vitit 2019.
Aktakuza e Prokurorisë e vitit 2014 akuzon 7 persona, shumica e tyre ish-zyrtarë në Bankën BPB, mirëpo ndaj 4 prej tyre ishte veçuar procedura.
Ndërsa tani kanë mbetur 3 të akuzuar: Vlera Besimi, Teuta Demiri dhe Besnik Gërmizaj, të akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose të autorizimit zyrtar.
Sipas aktakuzës të njëjtit si persona zyrtarë në vitin 2010, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i kanë tejkaluar kompetencat e tyre, ashtu që në kundërshtim me procedurat kanë bërë hapjen e xhirollogarive të klientëve (të dëmtuarve) pa bërë analizat e duhura kanë kompletuar dokumentacion përkatës për lëshim të kredive pa qenë prezent dhe pa komunikuar me aplikuesit (në këtë rast të dëmtuarit në shqyrtim), me ç’rast i është shkaktuar dëm material BPB-së, dega në Prizren në shumën prej 264.000 euro./kallxo.com/