25-11-2024

Si e sheh tejkalimin e pakënaqësive të LDK-së ndaj koalicionit qeverisës në Prizren, nënkryetari Memaj?

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, që vjen nga LDK, Eshref Memaj  derisa ka pranuar se kohëve të fundit ka mosmarrëveshje në koalicionin qeverisës të Prizrenit, ka shprehur optimizëm se kjo do të tejkalohet.

Memaj ka thënë kështu në një emision të RTK-së, ku përballë kishte asamblistin e AAK-së, Ilir Baldedajn.

Ndonëse ishte në objektin e Kuvendit Komunal,  LDK së fundi bojkotoi seancën e KK-së pasi  nuk mori pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme,  që me pas u shty për mungesë kuorumi.

“Ky ka qenë një refleksion i momentit, që është dashur të ndodhë më herët, por besoj që të tejkalohet”, ka thënë ai, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka më pas ka kritikuar bojkotin e asambleistëve, duke e quajtur vendim kundër interesave të qytetarëve. Ai tha se komuna humbi një donacion në vlerë prej 350 mijë euro nga MAPL, për projektin e ndërtimit të rrugës Smaç-Mamushë, ku përfitues kryesorë do të ishin qytetarët e rajonit të Anadrinit dhe tërë komunës Prizrenit.

Por, nënkryetari i tij, Memaj, tha se kuvendarët nuk kanë qenë të informuar paraprakisht rreth asaj së çfarë duhet të bëjnë.

Në anën tjetër, Baldedaj, derisa kritikoi qeverisjen aktuale, duke thënë se Prizreni tashmë ka katër kryetarë, të cilët udhëheqin partitë në koalicion, theksoi se nuk ka kuptim të flitet për një grant të humbur, prej 350 mijë euro, që nuk është asgjë kundrejt tepricës buxhetore për vitin e kaluar të Komunës së Prizrenit, prej 7 milion euro./GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.