17-05-2024

Si i sheh Vetëvendosja akuzat mes kuvendarëve të saj dhe Nismës në Prizren?

Zyrtarët e Lëvizjes VETËVENDOSJE  (VV) në Prizren, që drejton pushtetin lokal, pas akuzave të kuvendares së këtij subjekti, Mimoza Bushranit ndaj drejtorit komunal të Arsimit,  që vjen nga Nisma dhe më pas kundër reagimin e Nismës ndaj dy asamblistëve të VV-së, këto zhvillime më tepër i shohin në relacionin Kuvend-Qeveri lokale.

Kritikat e anëtarëve të Kuvendit Komunal (KK) nga VV, sidomos akuzat e Bushranit, gjatë mbledhje së KK-së, dy ditë më parë, ndaj drejtorit të DKA-së, Skënder Susurit  për “shkelje në konkurse” dhe paralajmërimet për adresimin e tyre në Prokurori kanë trazuar edhe një herë koalicionin qeverisës, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Bushrani, partia e të cilës është në koalicion me Nismën Socialdemokrate, përmendi disa raste “shkeljesh”, duke kërkuar nga Susuri t’i ndalonte rastet e këtilla.

Artan Abrashi, kryetar i Qendrës së VETËVENDOSJES, njëherësh edhe kryesues i KK të Prizrenit, ka thënë se kuvendarët e këtij subjekti janë autonom në ngritjen e pyetjeve dhe çështjeve gjatë mbledhjeve.

“Aty janë për t’i trajtuar hallet e qytetarëve dhe çështjet që kërkojnë sqarim, pavarësisht se për cilat drejtori bëhet fjalë”, tha ai duke shtuar se ata kanë qenë kritik edhe ndaj drejtoreve të VV-së.

“Këtu nuk ka asgjë të çuditshme kur merret parasysh se janë pjesë e organit monitorues dhe mbikëqyrës të ekzekutivit, pra janë brenda kornizave të mandatit si kuvendarë”, tha Abrashi për  portalin “GazetaePrizrenit.net”.

Ai është shprehur se ndonjëherë mund të ketë tensione, dhe se kryesore është që debati të zhvillohet brenda suazave demokratike.

I pyetur nëse qëndrimet e kuvendarëve të VV-së janë edhe qëndrime zyrtare të subjektit, Arbashi tha se nuk sheh arsye për dramatizime. “Në këtë rast nuk mund të them nëse janë apo jo edhe qëndrime të subjektit. Kemi të bëjmë me raportet Kuvend-Qeveri”, tha ai.

Ndërkaq, në kundërpërgjigjen e Nismës Socialdemokrate në Prizren pas akuzave të bëra ndër tjera vlerësohet si e papranueshme sjelljea, siç thuhet prej adoleshentëve politik, si Mimoza Bushrani dhe Karanfil Haxhillari.

Përveç tyre, me këtë rast  Nisma akuzoi edhe kuvendarë të LDK-së, të cilët më pas iu kundërpërgjigjën këtyre akuzave.

Ndryshe, Mimoza Bushrani e VV-së edhe më parë njihet për reagime ndaj Nismës.  Një i tillë mbahet mend, qershorin e vitit të kaluar pas pakënaqësive me rastin e shpalljes së emrave për drejtorë shkollash, në konkursin e parë për këto pozita, të cilin më pas e pat anuluar kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.

Përkundër këtyre veprimeve dhe përçarjes së atëhershme të marrëdhënieve, koalicioni VV-LDK-Nisma ka vazhduar. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.