27-07-2024

Si ndodhi vrasja e Liridona Ademajt, detaje nga Gjykata

Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për tre të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademaj-Murseli, ku i dyshuar është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Në vendimin për paraburgim ndaj të dyshuarve përshkruhet ngjarja si kishte ndodhur vrasja e Liridonës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, në vendim thuhet se bashkëshorti i të ndjerës, Naim Murseli e kishte pajisur me armë G.P, dhe derisa e gjithë familja ishte në veturë, ai rreth orës 20:20 të natës kritike i del para veturës së çifit, me maskë në kokë, dhe e qëllon viktimën nga afërsia me një plumb në qafë.

Në njoftimin e bërë nga Gjykata thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës.

“Në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, njofton Gjykata.

Pak para fillimit të seancës Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur një aksion simbolik para Pallatit të Drejtësisë.

Me thirrjen “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” kjo organizatë paralajmëori protestë gjithë popullore në Prishtinë.

Vrasja e 30-vjeçares ka shkaktuar reagime të shumta të institucioneve dhe shoqërisë civile në Kosovë.

Ndërkohë, Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar dënime të ashpra, të parapara me ligj, për vrasësit e L. M., e cila u vra të mërkurën mbrëma në Prishtinë./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.