Si po u shmanget Serbia masave ndëshkuese të BE-së për Banjskën?
Bashkimi Evropian nuk ka gatishmëri për t’i vënë masa ndëshkuese Serbisë, pas sulmit të armatosur që ndodhi në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, dhe standardet e dyfishta të bllokut evropian nuk përbëjnë asgjë të re – kështu i kanë thënë Radios Evropa e Lirë burime diplomatike në Bruksel dhe ekspertë të huaj.
Sipas tyre, thirrjet në aspekte procedurale, dhe në mungesën e një raporti përfundimtar nga autoritetet e Kosovës, janë vetëm arsyetime për zvarritjen e rastit.
Kosova, në anën tjetër, ngulmon në vendosjen e masave ndaj Serbisë, pasi deklaron se ndaj saj është kryer sulm terrorist.
Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serbësh vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Banjskë të komunës së Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve të mëtejme u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova e mban përgjegjës shtetin e Serbisë për këtë sulm, ndërsa Beogradi zyrtar e kundërshton këtë qëndrim.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – Millan Radoiçiq, më vonë e mori përgjegjësinë për sulmin.
Autoritetet e Serbisë kanë nisur një proces gjyqësor kundër tij, por e kanë liruar nga masa e paraburgimit, me kushtin që të mos shkojë më në Kosovë.
Organizata Ndërkombëtare e Policisë, e njohur më shumë si INTERPOL, ka lëshuar fletarrestim kundër tij.
Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë, por masat ndëshkuese të kërkuara aq shumë prej autoriteteve të Kosovës nuk janë vënë kurrë.
Bashkimi Evropian e ka pranuar vitin e kaluar një raport prej 48 faqesh nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës për sulmin në Banjskë.
Megjithatë, burimet e Brukselit kanë thënë se ai nuk është i mjaftueshëm, duke vlerësuar se në të ka tone politike, dhe se nga Kosova nevojitet një raport i hartuar prej sistemit të drejtësisë.
Autoritetet e Kosovës e kanë kritikuar disa herë Prokurorinë e Shtetit që ende nuk ka dalë me një raport për ngjarjet në Banjskë dhe nuk ka ngritur ndonjë aktakuzë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, në anën tjetër, i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të mos ndërhyjë në punët e sistemit të drejtësisë, duke pretenduar se deklaratat e pushtetit janë tendencioze.
Brukseli pohon se nuk ka mandat për një gjë të tillë. Nga BE-ja kanë thënë që sulmi ka ndodhur në territorin e Kosovës dhe se autoritetet atje janë kompetente.
Kur kanë folur publikisht, zyrtarët e BE-së e kanë cilësuar sulmin në Banjskë si terrorist.
Por, në Raportin e Progresit të BE-së për vitin 2023, në pjesën për Serbinë, sulmi në Banjskë përshkruhet se është kryer vetëm prej “individëve të armatosur rëndë”.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk ka kthyer përgjigje për pyetjen e Radios Evropa e Lirë se pse blloku evropian ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë rast.
Në të kaluarën, ai e ka përsëritur disa herë që janë në pritje të raportit përfundimtar nga Kosova.
Parlamenti Evropian ka kërkuar ndëshkimin e Serbisë, mirëpo diçka e tillë është në dorën e Këshillit dhe të Komisionit Evropian.
Alejandro Esteso Perez, analist dhe studiues i politikave të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se BE-ja nuk dëshiron ta vendosë Serbinë përpara pasqyrës.
“Nuk dëshiron të rrezikojë një reagim potencial të Vuçiqit, qoftë duke u afruar me Rusinë apo Kinën – që ai veçse po e bën – dhe e kupton që pa Serbinë nuk mund të ketë dialog Kosovë-Serbi”.
Ndërkaq, analisti Vogel thotë se ka dëgjuar prej ligjvënësve në BE që Serbia kritikohet nëpër biseda private. Por, sipas tij, “nëse diçka nuk thuhet publikisht, është sikur të mos ishte thënë fare”.