24-11-2024

Si u shënua Shën Gjergji në Prizren ?

Në mënyrë tradicionale edhe këtë vit në Prizren u shënua “Dita e Karabashit”, që kremtohet në prag të Shën Gjergjit. Krahasuar me vitet e mëparshme, sivjet vërehej se ka pasur më pak njerëz, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

 

Për të kremtuar “Shën Gjergjin”, kësaj radhe të interesuarit më tepër dolën gjatë mesditës, ndërsa pasdite ata i pengoi koha me shi. Qytetarë jo vetëm nga Prizreni e rrethina, por edhe me gjerë, përfshirë edhe viset veriore të Shqipërisë si zakonisht këtë ditë e shfrytëzojnë për kryer rite të ndryshme fetare,  por edhe për të shëtitur e blerë gjësende të ndryshme.

 

Prej vitesh,  5 maj,  njihet si festa e Shën Gjergjit. Në kontekstin e kremtes qindra njerëz në qytet, vizitojnë varrezat e më të afërmve dhe kryejnë rite fetare në tyrbet e këtushme.

Paraprakisht në hapësira më të gjera periferike të qytetit, blegtorët improvizojnë tregje për shitjen e qengjave. Megjithatë shitësit flasin për rënie të shitjes. Xhemë Gashi, tha për “Gazetën e Prizrenit” se asnjëherë  nuk  mban mend kremte më e zbehtë se kjo.

 

Pjesë e adhuruar nga fëmijët në kuadër të traditës janë gurabitë me pasqyre.

 

Shën Gjergji sipas disa gojëdhënave shënohet një herë në vit për ta përjetuar ardhjen e stinës së verës. Varësisht nga krahinat kjo ditë fillon nga 5 dhe vazhdon deri me 15 maj.

 

Kremtimi karakterizohet me lojëra të shumta, pastaj  fluks të madh të vizitorëve, kryesisht në fusha të gjëra, pranë tyrbeve, parkun e qytetit apo ndonjë vendbanimi të lashtë.

Selam Krasniqi dhe Murat Bytyqi, të cilët me familjet e tyre kishin dalur të kremtojnë thanë se kjo është traditë nga fëmijëria, ndërsa mendojnë se buron nga optimizmi i njerëzve të gëzuar, që kanë kaluar stinën e mërzitshme të dimrit dhe po fillojnë verën,  që sjell rigjenerimin e tokës, bashkimin e qifteve etj., raporton “Gazeta e Prizrenit”.

Gojëdhënat i ndërlidhin gjurmët e kremtes, larg në lashtësinë ilire,  atëherë kur ata besonin në shumë perëndi apo politeizëm, ndërsa kanë therur edhe qengjin për t’ia bërë theror perëndive, të cilët u luteshin për plotësim dëshirash.

Kjo festë në Rrafshin e Dukagjinit organizohet pranë tyrbeve të shenjta, në afërsi te të cilave theren qengje.

 

Përkundër një qarkullimi të madh të njerëzve dhe mbipopullimit të Prizrenit, disa nga shitësit, thanë se krahasuar me vitin paraprak kësaj radhe ka pasur më pak blerës.

 

Kremtimi i kësaj feste vazhdon deri në mesnatë, kur qytetarë të shumtë, përfshirë edhe qiftet e reja dalin për xhiro në qytet, ndërsa qendra mbushet si asnjëherë më parë.

 

Do theksuar se ka zëra, kryesisht nga besimi mysliman, që prej vitesh janë shprehur kundër këtij kremtimi, duke thënë se kjo është kjo diçka e imponuar dhe e huaj.

 

Rite të ngjashme, kryhen edhe nëpër disa tyrbe të tjera në Has dhe rajone të tjera.

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.