Sindikata paralajmëron veprime po qe se riorganizimi prek interesat e shërbyesve civilë

Shkrirja e disa ministrive në një të vetme, posaçërisht riorganizimi i paralajmëruar i punëtorëve në institucionet në vend, ka alarmuar Sindikatën e Shërbyesve Civilë të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo sindikatë, e cila është e thirrur për mbrojtjen e punëtorëve nën ”ombrellën” e shërbimit civil, ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha masave në kundërshtim të çfarëdo veprimi të Qeverisë, tani e udhëhequr nga Albin Kurti, e cila do të ndikonte në interesin e nëpunësve civilë.

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, Zymber Murseli, ka bërë të ditur se për fuzionimin e ministrive nuk është kërkuar vlerësimi i tyre, derisa shton se zvogëlimi i ministrive më së shumti ka prekur zyrtarët civilë.

“Zvogëlimi i ministrive në pesëmbëdhjetë i ka prekur interesat e një numri të caktuar të shërbyesve civilë, të cilët janë të frustruar dhe nuk kanë njohuri fare se si do të zgjidhet çështja e tyre dhe ku do të mbetet fati i tyre”, thotë Murseli. Ai shprehet i indinjuar që “si qeveritë e kaluara me gjasë edhe kjo e tanishmja, gurin më të madh e hedh te shërbyesit civilë, dhe nuk pyet fare për ta”.

“Si në çështjet e pagave, si në pozitat e tyre që shpeshherë janë edhe degraduese dhe në gjendjen e tanishme i lë në amulli, në këtë çështje që është shumë e rëndësishme dhe jetike për disa nëpunës civilë, të cilët bazë të mirëqenies së tyre familjare e kanë këtë pagë”, ka deklaruar Zymberi.

Javën e kaluar, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, anëtarët e kabinetit qeveritar aprovuan propozimin që sekretarët e përgjithshëm të ministrive, të cilat janë prekur nga reduktimi, të kalojnë në listën tepricë.