S’ka koalicion LDK – LVV pa u certifikuar rezultatet, ndërkombëtarët ankohen për vonesa
Përfaqësues të të dyja partive kanë thënë se me t’u certifikuar rezultatet zgjedhore do t’i jepet epilog formatit të qeverisë së re, shkruan sot gazeta Zëri.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse janë deklaruar se janë dakorduar për 90% të planprogrameve qeverisëse, po presin certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit për ta caktuar formatin e qeverisë së re. Derisa ende nuk janë rinumëruar në tërësi votat nga KQZ-ja, përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare po kërkojnë me ngulm formimin e qeverisë së re, pa shkaktuar vonesa. Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalya Apostollova, në një intervistë për medie ka deklaruar se pret që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të formohen sa më parë, me qëllim që Kosova të përqendrohet në reformat e saj në të gjitha fushat.
“Qeveria dhe Kuvendi duhet të formohen sipas procedurave të brendshme, por ky proces nuk duhet të vonohet pa nevojë. Shpresojmë se formimi i Qeverisë do të ndodhë së shpejti, pasi Kosova duhet të përqendrohet në reformat strukturale, në mënyrë që ta përmirësojë jetën e popullit të saj”. Në anën tjetër ajo ka thënë se përfshirja e ministrave serbë duhet të ndodhë, meqë një gjë e tillë është e përcaktuar me Kushtetutën e vendit.