S’ka rivotim në Skenderaj, refuzohen ankesat e Bekim Jasharit

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar shumicën e ankesave të Bekim Jasharit për parregullsi në votimin e 17 tetorit në Komunën e Skenderajt. Vendimet e PZAP-së tregojnë se atij i janë miratuar pjesërisht disa ankesa, por se në Skenderaj s’do të ketë rivotim.

Këtë komunë në rundin e parë të zgjedhjeve e fitoi Fadil Nura i PDK-së me mbi 50 për qind të votave.

Jashari ishte ankuar se në procesin zgjedhor ka pasur blerje të votave nga PDK-ja. Megjithatë PZAP-ja i ka konsideruar të pabazuara ankesat duke thënë në disa raste se s’janë ofruar dëshmi të qarta e bindëse.

Ndërkaq pjesërisht janë pranuar ankesat e Jasharit kundër PDK-së për keqpërdorime të disa fletëvotimeve duke ua ndaluar disa zyrtarëve pjesëmarrjen në zgjedhje, si kandidat apo pjesë administrative e ndonjë organi zgjedhor për pesë vjet, pasi janë gjetur fletëvotime të pavulosura.