13-05-2026

Skandali me fotokopjuesit në Dragash: Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Burim Plakollit, dyshohet se shkollave ua dorëzoi pajisjet e vjetra si të reja

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj Burim Plakollit, pronar i kompanisë BMS Solutions, nën dyshimin e bazuar mirë për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik”, sipas nenit 415, paragrafi 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e personit të autorizuar të operatorit ekonomik “BMS Solutions” Sh.P.K., dyshohet se më 22 dhjetor 2023, në Dragash, me qëllim ka shkelur rregullat e prokurimit publik duke mos i përmbushur detyrimet kontraktuale që rridhnin nga kontrata publike me titull: “Furnizimi me gjashtëmbëdhjetë copë aparate fotokopjuese për shkolla – KK Dragash”.

Në aktakuzë thuhet se, në vend të dorëzimit të 16 aparateve të reja të fotokopjimit, siç ishte paraparë me kontratë, operatori ekonomik dyshohet se ka dorëzuar 16 aparate të ri-fabrikuara, përkatësisht pajisje të vjetra të servisuara, në të cilat ishin vendosur vetëm materiale apo pjesë të reja shpenzuese.

Prokuroria vlerëson se me këto veprime i është shkaktuar dëm ekonomik dhe buxhetor Komunës së Dragashit, pasi pajisjet e ri-fabrikuara kanë qëndrueshmëri më të ulët, kërkojnë mirëmbajtje më të shpeshtë dhe mund të krijojnë kosto shtesë krahasuar me aparatet e reja të parapara në kontratë.

 

Aktakuzë është ngritur edhe ndaj personit juridik “BMS Solutions” Sh.P.K., në cilësinë e operatorit ekonomik fitues të kontratës, për të njëjtën vepër penale.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata, të pandehurit konsiderohen të pafajshëm.

Asnjë koment

Comments are closed.