S’mbahet gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Suharekës
Në këtë rast, për të njëjtën vepër penale akuzohen edhe ish-drejtori i Arsimit në këtë komunë, Sherif Berisha, si dhe drejtori i shkollës “Bajram Curri”, Milazim Hajdari, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa e antares së trupit gjykues, gjykatëses Kymete Kicaj, e cila gjendet në pushim mjekësor.
Në këtë shqyrtim kanë munguar edhe dëshmitarët Bashkim Bytyqi dhe Berat Gegaj.
Gjykatësi Artan Serjani, ka thënë se për dëshmitarin Bytyqi ka dërguar ftesë të rregullt, por që ai mungesën nuk e ka arsyetuar, ndërsa për dëshmitarin Gegaj, ka thënë se ai e ka njoftuar gjykatën se më 20 qershor 2019, do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe do të qëndrojë atje për një vit.
Gjykatësi Serjani, ka thënë se me ftesë të rregullt do të ftohet dëshmitari Bashkim Bytyqi, ndërsa për palët e tjera, sipas tij, njoftimi verbal do të shërbejë në vend të ftesave të rregullta.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 26 shtator 2019, në ora 10:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 22 tetor 2018, i pandehuri Sali Asllanaj dyshohet se prej 1 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar, kryetar i Komunës së Suharekës, se duke e shfrytëzuar pozitën zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, Asllanaj, si kryetar i Komunës së Suharekës, pa procedurë të tenderimit, nënshkruan marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope” për projektin “Transporti i nxënësve”, duke shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren financiare, me ç’rast i shkakton dëm buxhetit të Kosovës në shumën totale prej 10.556.00 euro.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kurse, Sherif Berisha, akuzohet se prej 16 shtator 2014 deri më 27 nëntor 2014, në cilësi të personit zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, duke keqpërdorur detyrat e tij zyrtare, lejon që drejtori i shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Suharekës, Milazim Hajdari, të lëshojë raporte për bartjen e nxënësve në periudhën nga 16 shtator deri më 27 nëntor, operatorit ekonomik “Saba Tours”, gjoja se ky operator ka kryer shërbimin e transportit të nxënësve.
Në aktakuzë, thuhet se i njëjti në periudhën e njëjtë kohore, ka lëshuar edhe tri raporte operatorit “Shqiproni Tours”, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerën e 6572 euro, ngase kjo shumë i ishte paguar operatorit “Saba Group” për shërbimin që nuk e kishte kryer.
Po ashtu, sipas aktakuzës, Berisha, i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 4000 euro, ngase si përgjegjës për menaxhimin e projektit, nuk i kishte kërkuar mjetet të cilat nuk ishin shpenzuar nga pjesa e investimeve të përgjithshme marrëveshjen për mirëkuptim dhe bashkëfinancim ndërmjet Komunës së Suharekës dhe OJQ-së “Kosovo Hope”.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, i akuzuari, Milazim Hajdari, në cilësi të drejtorit të shkollës fillore “Bajram Curri” në fshatin Nishor të Komunës së Suharekës, akuzohet se i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, si dhe duke përpiluar raporte për bartjen e nxënësve operatorëve të ndryshëm, me anë të së cilës shkel ligjin mbi detyrat e tij.
Sipas organit të akuzës, dëmin që ia shkakton buxhetit të Republikës së Kosovës, kap vlerën e 6572 euro.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi