Solidaritet në pandemi: Mamusha ia huazon Suharekës pajisjen e pastrimit të rrugëve

Komuna e vetme me shumicë turke në Kosovë, në kohë pandemie, është solidarizuar me komunën fqinje të Suharekës, duke e mbështetur atë në pastrimin dhe dezinfektimin e rrugëve.

Kryetari i Mamushës, Abdylhadi Krasniq, ka theksuar se gjatë një takimi me homologun e tij nga Suhareka ka lindur ideja që kjo makineri t’i jepet në shfrytëzim komunës me territor më të madh, për disa ditë.

“Ne si Komunë e Mamushës kemi makinerinë për pastrimin e rrugëve, dhe për shkak të kërkesës së kryetarit të Suharekës për fshirjen e rrugëve në këtë kohë, jemi munduar me u solidarizu me komunat përreth”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo makinë bashkë me punëtorët ka qenë një javë në shërbim të pastrimit të rrugëve në Suharekë. Ka shtuar se edhe Komuna e Suharekës ka ofruar përkrahje për Komunën e Mamushës.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka theksuar se ai ka bashkëpunim të mirë me të gjithë kryetarët e komunave të rajonit të Prizrenit.

“Në bashkëpunim me kryetarin e Mamushës ka shprehur gatishmërinë për me huazu makinerinë për larjen e rrugëve. Ne i kemi paguar derivatet, ata kanë ardhur kanë bërë pastrimin dhe dezinfektimin e disa fshatrave në Suharekë”, ka thënë Muharremaj.

Sipas zyrtarëve komunalë të Suharekës, deri më tani, në këtë komunë të infektuar me koronavirus janë 32 persona. Ndërsa në Komunën e Mamushës nuk ka asnjë banor të prekur me COVID-19./koha.net