24-04-2024

Sot bëhet varrimi i të aksidentuarve, Ditë zie në Zhur

Sot bëhet varrimi i tri viktimave nga familja Sope e Zhurit, që vdiqën nga aksidenti tragjik, që ndodhi dje në mesditë si pasojë e përplasjes së automjetit të tyre “Golf 3” me një kamion që pastronte borën. Aksidenti fatal ndodhi te nënkalimi i autostradës, në rrugën për Zhur, që për shkak të temperaturave të ulëta ishte e rrëshqitshme.

Varrimi i babait Ramiz Sope 50 vjeç dhe dy djemve të tij: Beharit 24 vjeç si dhe Lumbardhit 22 vjeç, do të bëhet në kohën e iqindisë në Zhur.

Në shenjë respekti dhe dhembje për ta, me vendim të kryesisë së Bashkësisë Lokale në Zhur, dita e sotme është shpallur Ditë zie në Zhur.

Marrë parasysh përmasat e dhembjes, në ceremoninë e varrimit pritet pjesëmarrje e një numri të madh të bashkëqytetarëve jo vetëm nga Zhuri e fshatrat përreth,  por edhe më gjerë. /GazetaePrizrenit.net/

Fotografia e Ismen Ajazaj

Asnjë koment

Comments are closed.