27-04-2024

Sot mbahet gara e 70 jubilare e kërcimeve nga Ura e Fshejtë

Sot në ora 16:00 organizohen kërcimet tradicionale nga Ura e Fshejtë, 22 metra lartësi mbi lumin Drin.

Për këtë ngjarje tradicionale, një përshkrim të bukur ka bërë nga Suedia, Shqiptar Oseku, i cili kështu shkruan:

“Kjo traditë e lashtë dikur ishte rit burrërie për djemtë e Gjakovës. Mëtonjësit që qëndrojnë mbi cep të urës bëjnë dy lloj kërcimesh, në këmbë, ose në stil vetëmohues të dallëndyshes. Me vitet ky ritual është shndërruar në garë me sistem poenash ku marrin pjesë edhe vajza, e sfidues nga vise tjera shqiptare. Sivjet është viti i 70 jubilar i kërcimeve, që thonë se do të jetë më i madh se ndonjëherë më parë.

Kërcyesit bëjnë tri përshëndetje rituale, së pari përshëndetën më jetën, e më shikuesit përposh. Pastaj përshëndesin vdekjën dhe ata që janë mbytur në kërcime. Kampioni i vitit 2017 Sali Riza Gërqina nuk ish në garë me 2018, pasi kishte humbur jetën pas një kërcimi. Quhet “kafshimi i urës”, kur ura egërsohet e kafshon shpirtërat që i trazojnë boshllëkun nën harqe. Në fund, dallëndyshet e vdekjes përshëndesin poetin, Ali Podrimja, që në rini të vetën ish kampion kërcimesh nga Ura e Fshejtë.

Drini, kjo kulçedër e verbër që gjarpëron poshtë urës, merr çdo vit haraç nga ata që e sfidojnë. Djemë e vajza që kërcejne trimërisht nga stena dhe për një çast, sa të shkurtër aq edhe të tmerrshëm, ngelin si dallëndyshe të ngrira e të lëndueshme në ajër: pre e krenarisë, marrëzisë, e lavdisë, mandej bien me një lakore elegante drejt ujit.

Një trup prej 70 kg bie nga lartësia 22 metra me shpejtësi 74.76 km/h. Para se ta prekësh sipërfaqen e ujit fluturojnë 2.2 sekonda; njësia kohore e llahtarit. Energjia që zhvillohet në impakt, 15 mijë joule, eshte si kur te godet makina me shpejtesi 70 km/ore.

Nëse nuk ke qenë aty ndonjëherë, duhet patjetër të shkosh. Sivjet publiku është i lutur të mbajë maska. Mjaft që ” Kulçedra e Drinit” synon të vrasë, s’ka pse t’i ndihmojnë edhe tjerë. Por ia vlen t’a përjetosh, absolutisht”, shkruan  Oseku../tvprizreni.info/

Asnjë koment

Comments are closed.