Provimit më të rëndësishëm nga shkollimi i mesëm sot do t’i nënshtrohen 2.754 maturantë të Komunës së Prizrenit, të të gjitha profileve. Zyrtarët komunal arsimorë, kanë thënë se janë ndërmarrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e testit, në mënyrë që rezultatet të jenë sa më reale, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.
Pjesa e parë e këtij testi përbehet nga pyetje nga lëndët gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze.
Në kontekstin e mbarëvajtjes, DKA në Prizren paraprakisht ka mbajtur takim të përbashkët me administruesit e caktuar në 17 qendrat testuese, me drejtorët e këtyre qendrave dhe koordinatorët, të cilët janë njoftuar për rregullat e testit, që do të mbahet në 13 shkolla të komunës.
Nga Komuna e Prizrenit janë 107 administrues të shkollave të mesme, që do të shkojnë në komunat e Suharekës, Dragashit dhe të Mamushës, kurse nga këto komuna në Prizren vijnë 227 administrues.
Zyrtari për arsim në DKA dhe njëherësh koordinator për Maturën shtetërore, Nexhat Maçkaj, ka thënë për portalin “Gazeta e Prizrenit” se janë bërë përgatitjet e duhura edhe për lëndët e mësimit me zgjedhje që është risi kësaj here, në mënyrë që të mos ketë mungesë të testeve përkatëse, duke shprehur optimizëm për mbarëvajtjen.
Matura shtetërore është njëra nga veprimtaritë kryesore të vendit dhe si e tillë duhet menaxhuar mirë. Njëherësh mund të thuhet se deri në nivelin e mesëm të shkollimit ky është provimi më i vështirë për nxënësit, pasi përmbledh njohuritë e mëparshme. Rezultatet e arritura në të pastaj janë shumë të rëndësishme për regjistrim në fakultet.
Referuar të dhënave zyrtare, krahasuar me vitin paraprak, sivjet janë 20 maturantë më pak. Nga numri i përgjithshëm i maturantëve, 2.341 janë shqiptarë, 206 boshnjakë dhe 156 janë turq. Numrin më të maturantëve, me 756 sosh e përbën gjimnazi “Gjon Buzuku”.
Autoritetet kanë paralajmëruar ndëshkim në raste keqpërdorimi të rregullave të parapara. Kjo sipas tyre bëhet që testi të dalë sa më objektiv dhe i saktë, dhe që nxënësit meritorë të cilën gjatë të gjitha viteve ishin me nota të larta të dalin me pikët maksimale dhe jo të ndodhë e kundërta.
Ndërkaq, respektimin e rregullave nxënësve ua kanë kujtuar edhe shumica e shkollave.
Faza e dytë e testit në rajonin e Prizrenit mbahet me 21 qershor. /GazetaePrizrenit.net/