Sipas kërkesës së opozitës, Kuvendi i Komunës (KK) i Prizrenit, do të mblidhet sot në orën 10:00, në një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar rreth gjendjes së fundit në arsimin prizrenas, pas emrave të propozuar për drejtorë shkollash, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Mbledhjen e ka kërkuar dega e PDK-së në opozitë, përkrahur edhe nga kuvendarët e AAK-së. Në mbledhje parashihet një pikë e rendit të ditës: “Debat për gjendjen jo të mirë në arsim, konkursin për drejtorë të shkollave”.
PDK ka kritikuar pushtetin për rezultatet e fundit të konkursit të përsëritur për drejtorë shkollash, duke paralajmëruar se këtë çështje do ta trajtonte më gjerësisht në një seancë të posaçme kushtuar gjendjes në arsim.
Në këtë seancë pritet debat i “nxehtë” , aq më tepër kur dihet se pos opozitës kritika rreth gjendjes së fundit në arsim, pas shpalljes së rezultateve të konkursit, kanë edhe vetë partitë e koalicionit qeverisës. Në LDK kanë kritikuar se kandidatët, pjesë e Nismës Socialdemokrate në Prizren, që edhe menaxhon Drejtorinë e Arsimit kanë marrë numrin më të madh të shkollave.
Por, asamblistët e LDK-së në Kuvendin Komunal, në shenjë revolte kanë deklaruar se do të heqin dorë nga pjesëmarrja në rastet kur flitet për arsimin. Kjo mbetet të shihet sot, kur është caktuar pikërisht një seancë për këtë çështje.
Mbetet të shihet nëse në këtë mbledhje do të marrin pjesë edhe asamblistët e shumicës, Vetëvendosjes e Nismës, të cilët nuk morën pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme, të u mbajtur në mesin e gushtit, në të cilën u debatua rreth mosmbajtjes së festivalit të “Zambakut…”
Në seancë pritet ta jep versionin e tij edhe drejtori i DKA-së, Skënder Susuri.
Ndryshe, kjo është hera e dytë brenda dy muajsh, kur me kërkesë të opozitës, KK i Prizrenit në këtë përbërje detyrohet të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme. /GazetaePrizrenit.net/